Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë thirrje që të hetohen të gjitha rrethanat që çuan në shembjen e një pjese të ish-hotelit Adriatik në Mitrovicë e që si pasojë morën jetën e një punëtori të ri 27-vjeçar.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e të riut, ndërsa ka kërkuar nga institucionet që të çojnë para drejtësisë shkaktarët.
“I pikëlluar me lajmin për vdekjen e të riut Visar Behrami nga shembja e objektit në Mitrovicë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit. Iu bëj thirrje institucioneve relevante të hetojnë saktë të gjitha rrethanat e këtij incidenti dhe të çojnë para drejtësisë shkaktarët e tij”, ka shkruar Haradinaj.
Kujtojmë se të hënën prokuroria kishte ndaluar për 48 orë punëdhënësin dhe punëkryerësin.