Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Jemi me fat për miqësinë me SHBA-në

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit të tij në Londër në kuadër të shumë takimeve me personalitete të ndryshme, sot ka takuar drejtorin për Çështjet e Evropës Jug Qendrore, Matthew Palmer, në Departamentin e Shtetit të ShBA-ve, me të cilin bisedoi për situatën politike dhe për proceset zhvillimore në Kosovë.

Në takim me drejtorin Palmer, Haradinaj vlerësoi lart rolin e ShBA-ve në avancimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke shprehur gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

“Populli dhe institucionet e Kosovës janë shumë mirënjohës për ndihmën e pakursyer që ShBA-të, kanë dhënë për Kosovën, në të gjitha periudhat. Jemi me fat që kemi miqësi të veçantë me shtetin tuaj dhe për këtë jemi krenarë”, tha Haradinaj.

Nga ana e tij, drejtori për Çështjet e Evropës Jug Qendrore, Matthew Palmer, tha se ShBA-ja do të vazhdojë që të jetë bashkë me Kosovën në rrugën e saj të forcimit të institucioneve dhe në proceset e konsolidimit ndërkombëtar të saj.