Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj akuzon Kurtin për korrupsion dhe majtizëm ekstrem

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, të cilës ia ka numëruar disa nga, siç i quan ai, dështimet në qeverisjen e deritanishme.

Haradinaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, i ka renditur 12 pika, në të cilat thotë se ka dështuar kjo qeveri, ku më pas ka sqaruar edhe se çka sipas tij, po ia vështirëson Kosovës ecjen përpara.

Ai madje e ka akuzuar Qeverinë se është zhytur në korrupsion dhe se majtizmi ekstrem po e dërgon Kurtin drejt luftës kundër aleatëve.

Kreu i AAK-së më tej thotë se shterimi i burimeve e mbushja shpejt e arkës, ulja e investimeve, frika nga dialogu dhe nga Amerika, lëvizjet eksperimentale në siguri dhe rend publik, lufta kundër sindikatave, pagesa e dhjetëra milionave për rrymën e shpenzuar në Veri e refuzimi i mundësive investive në energji, janë disa nga pikat në të cilat ka dështuar kjo qeveri.

“Pra mund të themi që majtizmi ekstrem po e dërgon Kurtin dhe Vetëvendosjen drejt luftës së klasave dhe në luftë kundër aleatëve, që nënkupton po ia vështirëson Kosovës mundësinë e ecjes përpara”, ka shkruar Haradinaj.