Arbëri

Hapësira përreth liqenit të Batllavës mbetet pa mirëmbajtje

Pa asnjë mirëmbajtje institucionale ka mbetur qe 1 muaj hapësira përreth liqenit të Batllavës. Dy punëtorët sezonalë, që i kishte angazhuar Komuna e Podujevës për këtë çështje, i kanë përfunduar kontratat mbi vepër. Ndërsa prej tetorit këto hapësira nuk mirëmbahen nga askush.

Për shkak të kësaj, hapësira përreth liqenit është mbushur me mbeturina. Zyrtarët e kompanisë “Pastrimi” e bëjnë vetëm bartjen e mbeturinave të vendosura nëpër kontejnerë në fshat, por nuk kujdeset edhe për hapësirat përreth liqenit. Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arbnore Ademi, ka thënë se kjo pjesë bie mbi përgjegjësinë e Komunës.

“Kompania ‘Pastrimi’ SH.A-Prishtinë nuk është përgjegjëse, është përgjegjësi e Komunës së Podujevës (mirëmbajtja e këtyre hapësirave v.j.)”, ka thënë Ademi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, thotë se ata angazhojnë punëtorë sezonalë për këtë pjesë vetëm gjatë sezonit veror, shkruan sot Koha Ditore.

“Gjatë këtij viti Komuna ka angazhuar dy punëtorë sezonalë, me kontratë mbi vepër, për mirëmbajtjen e hapësirave përreth liqenit të Batllavës. Këta punëtorë angazhohen gjatë sezonit të verës, kur liqeni frekuentohet nga vizitorë të shumtë, por jo edhe gjatë tërë vitit”, është shprehur Elezi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)