Arbëri

Hajdari: Tentojmë t’i kundërvihemi ndotjes së ajrit në Prishtinë përmes mbjelljes së fidanëve

Dita e Tokës, në Kosovë është shënuar me dhjetëra aktivitete ditën e sotme.

Si në të gjitha komunat, edhe në Prishtinë kjo ditë ka filluar me mbjelljen e fidanëve.

Drejtoresha e Drejtorisë së Parqeve në Komunë e Prishtinës, Fatime Hajdari, ka thënë se nga mëngjesi në këtë komunë kanë filluar aktivitetet, që prej mbjelljes së fidanëve nëpër hapësirat e gjelbra. Sipas saj, në këto aktivitete janë bashkangjitur shumë qytetarë vullnetarë.

Ajo u ka dhënë mesazh qytetarëve, duke ua kujtuar që jo vetëm 22 prilli, por edhe ditëve të tjera të ruhen hapësirat e gjelbra.

“Jemi dëshmitarë se në periudhën e vjeshtës dhe dimrit, Prishtina është në gjendje të keqe dhe alarmante për shkak të ndotjes. Drejtoria është krijuar mbi këtë ide që t’i kundërvihet pak a shumë përmes mbjelljes së drunjve edhe të mundohet të krijojë një bilanc për të mirë në pastrimin e ajrit. Kemi buxhetin tonë prej të cilit çdo vit kemi blerë sasi të konsiderueshme të fidanëve, këtë vit kemi blerë edhe fidanë halorë që janë më të përshtatshëm për filtrimin e ajrit. Mbjelljet planifikohet të vazhdojnë deri në fund të qershorit”, ka thënë ajo në Express Intervistë.

Hajdari ka thënë se për shkak të pandemisë edhe kjo drejtori ka pasur shkurtim të buxhetit në krahasim me vitet e tjera ku buxheti i ndarë ka shkuar në një milion euro.

Hajdari tregoi për planet që ka drejtoria për parqet në kryeqytet.

“Hapësira tjera që kemi vendosur të intervenojmë dhe të krijojmë parqe të reja, është parku i Emshirit që tashmë jemi duke e trajtuar dhe duke i dhënë formë. Hapësira të tjera që kemi rinovuar dhe po i kthejmë në qendra të shfrytëzueshme për qytetarë është Platoja në Breg të Diellit, kemi projekt tjetër të madh që është afër postës qendrore në lagjen Dardani”, ka thënë ajo.

Hajdari ka folur për premtimin nga komuna se do të ndërtohen katër parqe të reja. Ajo ka thënë se ka telashe me hapësirat publike për këtë.

“Edhe po ta kishim buxhetin dhe vullnetin për ndërtimin e këtyre katër parqeve, nuk do ta kishim hapësirën publike, siç nuk e kemi tani. Ndër hapësirat që është menduar të shkojnë parqet, është kjo e lagjes së Matiqanit që kemi pasur telashe pronësore, është ajo në lagjen Kodra e Trimave, telashe të ngjashme. Konsideroj se nuk është më pak e rëndësishme rinovimi i hapësirës së ‘Qafes’ dhe shndërrimi i zonës aty në terren rekreativ”, tha ajo.