Thirrja e deputetit të Listës “Guxo”, Burim Karameta, për ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, që të japë dorëheqje nga kjo pozitë, përveç reagimeve nga Lëvizja Vetëvendosje, mori kundërpërgjigje edhe bashkëpartiakja e tij, Donika Gërvalla. Për qëndrimet kundërthënëse brenda koalicionit, nuk janë deklaruar nga asnjëra parti.
Kritikat për menaxhimin e pandemisë dhe thirrja që deputeti i Listës “Guxo”, Burim Karameta, i ka bërë ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, që të japë dorëheqje, ka ngjallur reagime brenda koalicionit qeverisës, por edhe brenda vetë Listës “Guxo”.
Deputeti Karameta ka thënë se pas deklarimeve të tij ka pranuar shumë komente linçuese e kërcënuese. Ai ka sqaruar se thirrja që i ka bërë ministrit Vitia që ta lërë Ministrinë e të fokusohet te Komuna e Prishtinës, ku është kandidat për kryetar, kanë qenë me qëllim të përmirësimit të situatës shëndetësore.
“Unë shkrova dhe kritikova veç 1/15 pjesë të Qeverisë Kurti, dhe atë vetëm disa komponentë të kësaj pjese. Jo më tepër. Dhe, këtë e bëra me qëllim të përmirësimit, asnjë tendencë tjetër. Në shëndetësinë kosovare u krijua indinjatë dhe pasiguri, për të cilën kauza jonë nuk e përballon dhe nuk duhet ta lejojë. Kauza jonë politike, standardi i ri politik që krijuam, strategjia jonë e përbashkët kërkon punë dhe qasje tjetër ndaj shëndetësisë”, ka thënë ai.
Karametës i është kundërpërgjigjur edhe bashkëpartiakja e tij, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila i ka dalë në mbrojtje ministrit të Shëndetësisë.
“Heq kapelën para kolegut tim, Arben Vitia. Me përkushtimin, profesionalizmin, zellin, modestinë dhe qetësinë që e karakterizojnë, Arben Vitia menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë”, është shprehur Donika Gërvalla.
E reagimet nuk kanë munguar as nga partneri i Listës “Guxo” në koalicionin qeverisës. Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ka thënë se as 5 minuta të kohës së tij si ministër, Vitia nuk i ka harxhuar në fushatë elektorale.
“Beni sulmohet shumë kur rriten numrat, e edhe më shumë kur bien numrat e të infektuarve. Prandaj, Beni sulmohet shumë kur merr masa kufizuese, e shumë më shumë kur i liron të njëjtat. Ai sulmohet kur ndalon dasmat, e edhe më shumë kur i lejon ato. E vetmja konstante e këtyre sulmeve mbeten sulmuesit. Janë të njëjtit që e sulmojnë, çfarëdo vendimi që ai të marrë. Edhe unë ta heq kapelën ministër Vitia”, ka deklaruar Bislimi.
Për qëndrimet kundërthënëse brenda Listës “Guxo”, por edhe brenda koalicionit qeverisës, KOHA ka kontaktuar me deputetë nga të dyja partitë, por ata nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.