Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Grenell: Kurti të anulojë vendimin për refuzimin e gazsjellësit amerikan

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të anulojë vendimin për refuzimin e projektit për gazsjellësin amerikan.

Grenell nëpërmjet një postimi në Twitter, theksoi se Kurti duhet të kthejë mbrapsht këtë vendim për shkak të krizës energjetike, në të cilën po kalon Kosova.

“Albin Kurti duhet të anulojë vendimin e tij për të refuzuar një tubacion gazi të SHBA dhe Evropës. Kriza energjetike e Kosovës është një problem serioz”, ka shkruar Grenell.

Për krizën energjetike që ka përfshirë tashmë edhe Kosovën, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar të martën nga Ministria e Energjisë që të vlerësojë çdo mundësi për ta ndihmuar Kosovën në mënyrë që familjeve kosovare të mos iu mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës së Vitit të Ri.

“Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjetike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës, që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve! Shqipëria s'e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjetike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s'mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi!”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.

Kuvendi i Kosovës aktualisht po mban seancë të jashtëzakonshme rreth krizës energjetike në Kosovë.