Arbëri

Gratë vendimtare për paqe, Blinken merr shembull kauzën e Kosovës

Edicioni i parë i forumit ndërkombëtar “Gratë, paqja e siguria” ka sjellë në Kosovë qindra pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës që janë bashkuar në diskutimet për pozitën e gruas dhe kontributin drejt paqes e sigurisë. Derisa u vlerësua kontributi i dhënë, është thënë se në Kosovë ka ende shumë punë për arritjen e përfaqësimit të barabartë. Forumit dyditor që ka nisur të shtunën i është adresuar edhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Forumi, nën patronazhin e presidentes Vjosa Osmani, i dedikohet ish-sekretares Madeleine Albright

Kauza e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërhyrë në Kosovë ka qenë e drejtë, andaj edhe është përmbyllur me sukses, ka thënë të shtunën sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Nëpërmjet një video-adresimi ai u bë pjesë e diskutimeve në forumin “Gratë, paqja e siguria”. Duke kujtuar ish-sekretaren Madeleine Albright, Blinken ka thënë se nga ajo kanë marrë udhëzime të qarta.

“Duhet të ngrihemi kundër tiranëve dhe të tjerëve dhe të gjithë atyre që përdorin forcën për të rishkruar kufijtë e shteteve të tjera. Në vizitën e fundit në Prishtinë, në vitin 2019, ajo ka thënë se lufta në Kosovë ka qenë ballafaqim midis vrasjeve barbare dhe forcës së domosdoshme, mostolerancës keqdashëse dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Mes tiranisë dhe demokracisë, Aleanca ynë ishte shumë e fuqishme, por kemi arritur sukses, sepse kauza jonë ka qenë e drejtë për shkak të popullit të Kosovës. Çdo gjë vlen edhe sot dhe do të kemi sukses përsëri”, ka deklaruar sekretari i Shtetit amerikan.

Fjalëve të ish-sekretares Albright, Blinken iu referua me rastin e dedikimit që Kosova i bëri asaj në edicionin e parë të forumit ndërkombëtar. E tema bosht e punimeve të këtij forumi ishte pozita e gruas. Diskutimet që u bënë të shtunën e do të vazhdojnë edhe të dielën bënë bashkë në Prishtinë qindra pjesëmarrës nga 33 shtete të botës.

Ish-sekretarja amerikane është kujtuar edhe nga gjenerali Wesley Clark. Ndonëse ka thënë se mbesin shumë punë, Clark ka lavdëruar Kosovën derisa ka shtuar se është krenar me punën që është duke u bërë.

Presidentja Osmani: Kur do të shohim nga e ardhmja, nuk duhet të harrojmë të kaluarën

E nikoqirja e Forumit, presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se kur flitet për pozitën e gruas ka shumë punë, porse synohet tejkalimi i sfidave, me qëllim të arritjes së përfaqësimit të barabartë. Ka veçuar punën e grave në rrugën e tyre drejt barazisë e kontributin e dhënë në shtetndërtim.

“Do të punojmë ditë e natë që të sigurohemi që barazia është pjesë e përditshmërisë sonë. Kur do të shohim nga e ardhmja, nuk duhet të harrojmë të kaluarën. Historia e Kosovës është një histori e secilës grua që ka larguar një gur prej rrugës sonë drejt barazisë. Gratë të cilat janë ballafaquar me rezistenca dhe protesta në vitet ‘90, kanë marrë edhe armë për të mbrojtur këtë vend”, ka thënë ajo.

Se në Kosovë sfidat e grave janë të mëdha e pranoi edhe kryeministri Albin Kurti. Megjithëse vlerësoi progresin që ka thënë se është bërë, Kurti ka shtuar se duhet ende punë për të bërë në rrugëtimin e arritjes së pjesëmarrjes së barabartë.

“Nuk ka garanci për paqe dhe siguri përveç nëse kjo realizohet bashkë nga burra e gra. Nuk ka alternativë tjetër dhe garancia është më efektive që të ketë më shumë gra në FSK dhe në forcat e rendit dhe kjo do të thotë edhe në përmbushjen e të drejtave të pakicave dhe të drejtave të të gjithëve. Gratë dhe vajzat e Kosovës kanë sakrifikuar shumë, kanë qenë viktima dhe luftëtare, kanë kontribuar në kategori të ndryshme dhe për demokratizimin e institucioneve të Republikës”, ka thënë Kurti.

Një nga diskutimet që është bërë në panelet e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ishte edhe ai në temën e pjesëmarrjes së grave në tavolinat e bisedimeve.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, kritikoi emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për mospërfshirjen e grave në proceset negociuese. Ajo ka thënë se u çudit me guximin e emisarit Lajçak që të marrë pjesë në diskutim.

“Nga tavolina e zbrazët në Bruksel pa gra, as në delegacionin e Kosovës, as të Serbisë nuk e di si mund të vini këtu. Ne jemi këtu dhe për të qenë në tavolinën e negociatave duhet të jeni në politikë. Unë jam bërë një negociatore 23 vjet më parë, në konferencën e Rambujesë, kam qenë gruaja e vetme në mesin e 15 burrave”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka inkurajuar gratë që të përfshihen më shumë në politikë, për t’u bërë kështu pjesë e vendimmarrjes.

“Nëse gratë do të kishin qenë më herët në lidershipin global në botë ndoshta nuk do të ishim në një krizë kaq të madhe. Situata është kështu, do të doja të avokoja lidershipin e grave, të investojmë si shoqëri, si institucione”, ka thënë ajo.

Pjesëmarrjen e barabartë të grave e burrave ka thëne se e ka në ekipin e tij, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai ka thënë se sa u përket zhvillimeve të dialogut, pret nga të dyja palët që të komunikojnë me qytetarët e tyre.

“Ajo që pres nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, është të komunikojnë me qytetarët e tyre, të përgatisin popullatën për marrëveshje, sepse duhet të kemi një konsensus dhe kjo është edhe përgjegjësi e atyre që ju përfaqësojnë në këtë proces”, ka thënë Lajçak, derisa është lavdëruar për transparencën që ka thënë se e kanë në këtë çështje.

“Po guxoj të them që procesi nuk ka qenë kurrë transparent aq sa është që nga emërimi im. Jam i lumtur të vij tek ata që dëshirojnë të më shohin. Ju këtu më ftoni, por nuk mund të ankoheni tek unë që qeveria nuk po flet me ju, i keni mundësitë t’i kërkoni këto nga njerëzit që i keni votuar”, ka thënë ai.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Ukrainës: Sot Putini është Millosheviqi i ri

Gjatë punimeve të Forumit presidentja Vjosa Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale të Meritave gratë e Ukrainës për, siç tha, trimërinë e treguar e kontributin e dhënë.

Medalja u pranua nga deputetja e Parlamentit të Ukrainës, Yevheniya Kravchuk, e gazetarët ukrainase që janë strehuar në Kosovë.

Për sfidat me të cilat ballafaqohen gratë, nga Ukraina ka folur edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Emine Japarova. Ajo ka thënë se medalja presidenciale e ndarë nga Kosova do të inkurajojë gratë ukrainase. Duke folur për situatën në Ukrainë, pas agresionit të paprovokuar rus, Japarova e ka krahasuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, me ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq.

“Sot Putini është Millosheviqi i ri, të dy i kanë duart e njollosura me gjak”, tha ajo përmes një video-mesazhi për pjesëmarrësit e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Mes të tjerëve, të pranishmëve në ditën e parë të forumit “Gratë, paqja dhe siguria” u është drejtuar edhe kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Punimet e nisura të shtunën Forumi do t’i përmbyllë të dielën, me diskutime për çështje të ndryshme në rreth 10 panele.