Arbëri

Gratë po diskriminohen në punësim, 80% janë ekonomikisht joaktive

Gratë janë një nga kategoritë kryesore që bëjnë pjesë në popullsinë ekonomikisht joaktive e që janë të gatshme për punë. Bazuar në disa të dhëna në Kosovë llogaritet se 80 për qind e grave janë ekonomikisht joaktive. Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë thënë se diskriminimi në bazë gjinore është njëri nga faktorët kryesor që ka ndikuar në këtë përqindje.

Adelina Tërshani, koordinatore e projekteve në Rrjetin e Grave të Kosovës, tha se diskriminimi ndaj grave është shumë i shprehur qysh në intervistat për punë. Sipas saj, edhe shkelja e së drejtës për pushim të lehonisë është njëra prej diskriminimeve më të shpeshta që gratë e hasin në tregun e punës.

Ajo numëron edhe faktorë të tjerë si ngacmimi seksual në vendin e punës, paga e pabarabartë për punë të barabartë me punëtorët burra, por edhe kushtet jo të mira dhe jo adekuate në vendin e punës.

“Njëri prej faktorëve më shumë shqetësues është puna e papaguar e grave, e cila nuk është që njihet aq më pak me mekanizma shtetërorë këtu në Kosovë. Tregu i punës në Kosovë është i pafavorshëm edhe për gratë edhe për burrat. Kur flasim për gratë pastaj vijnë shumë sfida që kanë bazë gjinore. Ato përballin forma të diskriminimit vetëm pse janë gra. Qysh në intervista pune ato pyeten për planet e tyre nga shefat apo intervistuesit që i bëjnë këto intervista. A kanë plan të bëjnë fëmijë, a janë të martuara, çka janë pyetje seksiste me bazë gjinore si formë e diskriminimit. Pse ndodh kjo është një faktor i rëndësishëm që është ligji i punës, pastaj mënyra se si Ligji i punës e rregullon pushimin e lehonisë tregon që barra apo kostoja e financiare e këtij pushimi apo leje bie mbi punëdhënësin në këtë rast sektorin privat që ofron më së shumti punë në Kosovë”, ka thënë ajo.

Kurse Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se një numër i madh i grave hezitojnë që të realizojnë të drejtën e tyre në trashëgimi, duke hequr dorë nga pasuria.

“Kemi edhe një numër tjetër të OJQ-ve, por edhe agjencive për ndihmë juridike falas, të cilët ofrojnë ndihmë juridike falas për gratë në realizimin e të drejtave të tyre, por asnjëherë nuk është e mjaftueshme ajo që ofrohet e që tentohet që të bëhet një barazim edhe në aspektin ekonomik në mes të burrave dhe të grave në Kosovë. Kemi mungesë të zhvillimit të procedurave sa i përket trashëgimisë, kemi një numër të madh të grave që hezitojnë për ta realizuar të drejtën e vet në trashëgimi, ende e kemi një numër një shifror të përqindjes së grave të cilat përfitojnë nga pasuria që u takon nga familja përkatësisht në procedurën e trashëgimisë. Pastaj kemi një numër të madh të grave që ende për shkak të presioneve të ndryshe nga familja apo rrethi heqin dorë nga realizimi i kësaj të drejte”, ka thënë Zekaj.

Tutje Zekaj tha se ka shumë sektorë që ende janë të rezervuar vetëm për burrat dhe ka një numër të vogël të grave që aplikojnë në këto pozicione.

“Ky është një lloj i diskriminimit faktik që ndodh. Jo në të shumtën e rasteve femrat e kërkojnë të drejtën e tyre në procedurën gjyqësore qoftë për shkak të papunësisë financiare për të përballur shpenzimet të cilat realizohen gjatë një procedure gjyqësore, qoftë për shkak të neglizhencës së institucioneve për të ofruar benificione për gratë në zhvillimin e procedurës. Ne si qendër për ndihmë juridike falas kemi kategori te veçanta për t’i përkrahur juridikisht gratë në realizimin e të drejtave të tyre çoftë në marrëdhënie pune çoftë nga realizimi i trashëgimisë kur këto gra nuk kanë mundësi financiare për t’u përballur me shpenzimet e këtyre procedurave, nuk kanë mundësi financiare për të angazhuar avokat për të realizuar të drejtën e tyre”, ka thënë ai.

Zekaj thotë se në këtë drejtim Kosova, ka ligjet si ato që zbatohen në Bashkimin Evropian, por që mungon vullneti i institucione për zbatimin e tyre. /EO