Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gratë ndërmarrëse të rajonit takohen për të rritur bashkpunimin

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës - G7 në bashkëpunim me Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka organizuar eventin “Gratë Ndërmarrëse të Rajonit – Takimet B2B”.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se kjo ngjarje ka për qëllim të promovojë dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe tregtar në mes të bizneseve në pronësi të grave. Në këtë event morën pjesë mbi 140 biznese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Turqia.

Lendita Kastrati, drejtore ekzekutive e G7 me rastin e hapjes së eventit theksoi se ndërmarrësia e grave paraqitet si kontribuues i rëndësishme në ekonominë e një vendi. Bizneset e drejtuara nga gratë si në Kosovë e po ashtu edhe në rajon në përgjithësi janë të vogla, kryesisht të përfaqësuara në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë, si dhe me më pak gjasa të veprojnë në sektorë me vlerë të shtuar dhe me potencial të rritjes. Kjo kryesisht ndërlidhet me vështirësitë që hasin gratë në marrjen e kredive, promovim, rrjetëzim, informim, qasje në tregjet potenciale si dhe në teknologji, transmeton Koha.net.

“Në mënyrë që të mënjanojmë disa nga pengesat me të cilat gratë ndërmarrëse ballafaqohen, kemi marrë këtë iniciativë të organizojmë këtë event e cila ofron mundësi për shtrirje bashkëpunimi rajonal, mundësi për të identifikuar partner potencial, rritje të vizibiliteit, promovim të produkteve dhe shërbimeve si dhe mundësi për t’u qasur në tregje të reja”, ka thënë Kastrati.

Ministri për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj theksoi që gratë janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë në vend dhe aty ku janë gratë e fuqishme ka zhvillim më të mirë të jetës, prandaj në këtë drejtim është e rëndësishme të ketë ngritje më të madhe profesionale për gratë.

“Mendoj që prezenca e grave në biznes edhe më tutje mbetet një sfidë që duhet ta adresojmë së bashku. Ka bazë ligjore e cila krijon mundësi të barazisë së plotë, flas për ligjin e punës, për shërbim civil, ligjin për barazi gjinore, por ajo çka është e rëndësishme është që gratë të marrin guximin dhe të hyjnë në ujërat jo shumë të lehta të punës. Një nga synimet që ka Ministria jonë është punësimi i grave. Ne do të kemi programe, dhe një pjesë të mirë të buxhetit do ta orientojmë në përkrahjen e gruas në ekonomi. Kosova ka shumë raste të suksesshme të grave në biznes”, ka thënë Beqaj.

Ndërkaq, Peter Verheyen, zëvendësshef i misionit në Ambasadën Holandeze në Prishtinë, theksoi rëndësinë e përkrahjes së grave ndërmarrëse dhe se roli i grave në biznes është i vlerësuar në botë.

“Jemi mbledhur me një qëllim që të rrisim biznesin tuaj që ndihmon edhe zhvillimin e vendit. Në Kosovë në bazë të të dhënave zyrtare gratë kanë 15% të kompanive të regjistruara dhe vetëm 11 % janë aktive. Fuqizimi ekonomik i grave është ndër pikat kryesore për zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Gjithashtu i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi rajonal”, u shpreh ai.

Besian Demiri, menaxher në Bankën TEB, tha se duhet të thyhen barrierat dhe paragjykimet që ekzistojnë te gratë në biznes.

“Në shoqërinë tonë, gratë në biznes kanë pasur nevojë për një shtytje për t’i kaluar barrierat dhe për të krijuar një profil të suksesshëm të grave të cilat do të ishin model për gjeneratat e reja. Kjo pjesë është shumë e rëndësishme pasi ky model i thyen paragjykimet dhe krijohet model për të rinjtë”, u shpreh ai.

Artikuj të ngjashëm