Arbëri

“Gjysëm shekulli Universitet” me histori e kritikë për institucionin

Historia 53-vjeçare e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është përmbledhur në një dokumentar një orësh. Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet, ka shfaqur dokumentarin që sjell ditët e mira e ato të liga të Universitetit kryesor të Kosovës. Kjo ngjarje është përcjellë edhe me botimin “Universiteti i Prishtinës nën Llupë”

Janë pamje të një prej ngjarjeve kryesore të historisë së këtij shteti, të ditëve kur u themelua Universiteti i Prishtinës. Ceremonia solemne e 15 shkurtit të vitit 1970 bashkë me vizitën e mareshalit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito e të dhënat tjera të rëndësishme, përfshihen në dokumentar.

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet me dokumentarin “Gjysëm shekulli Universitet” nën autorësi të Shkëlzen Gashit, ka përmbledhur rrëfimin për institucionin kryesor arsimor të Kosovës.

Telashet me kuadro, pastaj puna në sistem paralel e deri te politizimi i pasluftës shpalosen në një orë dokumentar. Arkivi i ish-RTP-së bashkë me fotografitë e kohës e plotësojnë mozaikun e imazheve të profesorëve të rinj që me plotë entuziasëm flasim për Universitetin e Prishtinës. Paraqiten ato që ishin vitet më të mira të Kosovës nën ish-Jugosllavi. Pas disa Fakulteteve në kuadër të Universitetit të Beogradit, më 1970 do t’i vinte radha e themelimit të institucionit më të rëndësishëm arsimor të Kosovës. Megjithëse në pamje bardhezi, entuziazmi i asaj kohe duket të ishte shumëngjyrësh. Në mbledhjen solemne ,rektori i parë Dervish Rozhaja e zëvendëskryetari i Qeverisë së Kosovës, Rexhai Surroi kishin treguar se tashmë gjuha e shqiptarëve do të jetë gjuhë e qytetarëve akademik. Fillimisht, sipas dokumentarit ku narracioni është lexuar nda Dardan Selimaj, më shumë kishte studentë serbë sesa shqiptarë, por shpejtë shifrat do të përmbyseshin.

Autori i dokumentarit, është shumë skeptik se gjendja e Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” do të ndryshojë. Problemet e pasluftës, bashkë me profesorët plagjiatorë e deri te zgjidhjet që jep vetë stafi universitar, zënë vend në dokumentar.

Po në këtë ngjarje të mbajtur të mërkurën mbrëma, është publikuar edhe raporti “Universiteti i Prishtinës nën Llupë” ku janë përmbledhur raportet e pesë organizatave joqeveritare që kanë skanuar gjendjen në Universitet prej vitit 2017 deri më 2022.

“Kam nisur dokumentarin me vitet ’70 që janë vitet e njëfarë entuziazmi kur fillon të thelëmohet UP-ja. Vazhdon me vitet ’80 kur fillon me ra nga pak për shkak të demonstratave të vitit 1981 e presionit të Serbisë”, ka thënë Shkëlzen Gashi i cili udhëheqë me organizatën “Admovere”.

Ka treguar se dokumentari vazhdon me vitet ‘90 si periudhë e mbijetesës.

“Këto dy dekadat e pasluftës që unë i kam parë bajagi zi dhe ashtu janë të prezantuara për fat të keq. Ta shohim çfarë do të ndodh tash me universitetin nën këtë pushtetin e ri. Indikacionet janë jo të mira”, ka thënë ai. Ka përmendur se janë bërë dy vjet dhe krejt çfarë ka ndodhur në këtë Universitet është që studentët nuk paguajnë semestër.

“Kanë mbetur edhe dy vjet që të përfundojë mandati i Qeverisë dhe ndoshta kanë me provu me ju nda kifle studentëve pasi kanë përvojë në atë punë”, ka thënë Gashi.

Sipas dokumentarit pas luftës së fundit, universiteti më i madh i Kosovës është politizuar dhe stafi akademik është zgjedhur nëpërmjet nepotizmit e klaneve. Përtej kësaj, aty paraqiten edhe rastet e plagjiaturës e bëhet thirrje që të merren masa ndaj profesorëve për të cilët Këshilli i Etikës ka vërtetuar se janë plagjiatorë. Krejt në fund të dokumentarit, disa profesorë të UP-së bëjnë thirrje që gjendja të ndryshohet. Këtë thirrje e ka bërë edhe filozofi Shkëlzen Maliqi.

“Veprimi radikal nganjëherë është më i miri. Ndoshta është mirë të mbyllet e të rithemelohet Universiteti”, thotë Maliqi në Dokumentar. Detajet në këtë vepër janë të shumta. Secili prej tyre shpërfaq një copë mozaiku të Universitetit i cili me gjithë të metat mbetet institucioni më i rëndësishëm i arsimit në Kosovë.