Arbëri

Gjykata dënon me 11 vjet burgim të akuzuarin për vrasje në Lipjan, lirohet një tjetër

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar të akuzuarin Bajram Bedrolli shkaku i parashkrimit të veprës penale të lëndimit të lehtë trupor dhe pas konstatimit se ai nuk kishte dhënë kontribut në vrasjen e ndodhur në një restorant në Lipjan. Ndërsa Besnik Bedrollin e dënoi me 11 vjet burgim për vrasje të rëndë e posedim të paautorizuar të armëve. Në aktgjykimin e tretë për këtë rast të shpallur të enjten kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni tha se konflikti ishte i aty-për-atyshëm, porse e kishte tejkaluar mbrojtjen e nevojshme. Lidhur me çështjen e paraburgimit gjykata do ta lëshojë një vendim të veçantë.

Në nëntor të 2018-s gjykata kishte shqiptuar dënim unik me 15 vjet burgim për Besnik Bedrollin për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Bajram Bedrollit i kishte shqiptuar dënim me 10 vjet burgim për ndihmë në vrasje të rëndë. Pasi Apeli e ktheu në rigjykim rastin, në vitin 2020 Themelorja për të njëjtat vepra e dënoi me 12 vjet burgim Besnik Bedrollin, ndërsa Bajram Bedrollin me 2 vjet e 10 muaj për lëndim të lehtë trupor.

Sipas aktakuzës në fillim të pandehurit janë fjalosur me të ndjerin e më pas e kishin sulmuar si të ndjerin ashtu edhe Eroll Qyqalllën e Skënder Ademin me mjete të forta. I ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të viktimës duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.