Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjuriqi s’e di nëse Radojiçiqi ka biseduar me Haradinajn para se të bëhet nënkryetar i Listës Serbe

Foto: Tanjug

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe e kanë mbështetjen e tij.

Në pyetjen e gazetarëve se kush është Millan Radojiçiqi, i cili të premten e kaluar u zgjodh si nënkryetar i Listës Serbe e për të cilin është përfolur se “në Kosovë pyetet për gjithçka”, Gjuriq tha se ai është nënkryetar i Listës Serbe dhe se nuk është punë e tij që të përgjigjet në pyetje tjera në lidhje me karrierën e kujtdo qoftë.

“Ai është zgjedhur nga përfaqësuesit serbë në Kosovë e Metohi. Lista Serbe në përgjithësi është forcë dhe parti e cila ka fituar mbi 90 për qind të votave të qytetarëve të nacionalitetit serb në KeM. Kam besim të plotë në Listën Serbe. Ata gëzojnë mbështetjen time si qytetar dhe si drejtor i zyrës për KeM dhe këtu përfshihen të gjithë funksionarët dhe të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe”, tha Gjuriq, raporton “Tanjug”.

Ai tutje tha se mbështet të gjithë ata që mbështeten nga populli serb në Kosovë sepse, siç tha ai, ka nevojë për bashkëjetesë dhe unitet, transmeton Koha.net.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse Radojiçiq ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, para se të bëhej nënkryetar i Listës Serbe, Gjuriqi tha se për këtë duhet pyetur të gjithë ata.

Lista Serbe para disa ditësh, në një takim të rregullt pune, në mënyrë unanime ka zgjedhur për nënkryetarë Vinka Radosavleviqin, Igor Simiqin, Milan Radoiçiqin, Nenad Rikallon dhe Dalibor Jevtiqin.