Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjocaj: Kosova ka ngecur në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për energji

Liron Gjocaj nga INDEP, ka thënë se Kosova ka ngecur në politikat e saj për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për energji elektrike.

Gjocaj ka thënë në “Sonte me Rronin” të KTV-së të mërkurën, se 90% e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga termocentralet.

“Kosova ka ngecur në politika të saj për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese. Kosova tash e sa vite ka tentuar ta ndërtojë termocentralin ‘Kosova e Re’, i cili është kundërshtuar, pasi që paraqet disavantazh për konsumatorët, meqë do t’i rriste çmimet për ta dhe nuk do të siguronte qëndrueshmëri afatgjatë për energjinë në Kosovë. Kosova gjeneron energji nga termocentralet në vlerën prej 90% të gjenerimit total. Pra 90% e energjisë prodhohet nga termocentralet, ndërkaq 10% gjenerohet nga burimet e ripërtërishme. Kjo do të thotë se diku 850-900 megavat prodhohen nga termocentralet, ndërkaq rreth 200 megavatë maksimumi nga burimet e ripërtëritshme të energjisë”, ka thënë Gjocaj.

Sipas tij, kërkesa më e madhe për energji elektrike në Kosovë, paraqitet gjatë muajve dhjetor dhe janar, ku gjatë pikut kërkesa shkon deri në 1.400 megavat orë.

“Kosova ende nuk e ka ligjin për burime të ripërtërishthme të energjisë. Kosova nuk po bën shumë në aspektin e stimulimeve. Shtetet e tjera e kanë shfrytëzuar pandeminë jo vetëm për të mbuluar problematikat por edhe për të vënë themelet për burime afatgjate të energjisë. Pakot që i kemi pasur në Kosovë janë të përkohshme. Ne ende po bazohemi vetëm në termocentrale, të cilat janë teknologji dhe politika të vjetra”, ka shtuar ai.