Arbëri

Gjithsej gjashtë aktakuza dhe një ftesë publike për pjesëmarrje në seancën për krime lufte

Që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të cilat mundësojnë gjykimin në mungesë, Prokuroria Speciale i ka ngritur gjithsej gjashtë aktakuza ndaj personave të dyshuar për krime lufte. E, Gjykata Themelore në Prishtinë ka nisur të publikojë ftesat për të akuzuarit që nuk gjenden në Kosovë.

Gjyqtarja e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Violeta Namani-Hajra, më 20 shtator i ka bërë ftesë për seancë gjyqësore të akuzuarit për krime lufte Çedomir Aksiq.

E, një javë më vonë Gazeta Zyrtare ka publikuar njoftimin, që përmban ftesën në shqip dhe serbisht, bashkë me aktakuzë. Në të, Aksiq është ftuar t’u dorëzohet organeve të drejtësisë.

“Konform nenit 303 par 8. Të KPPRK-së, gjykata i bën thirrje të akuzuarit Çedomir Aksiq të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar me datë dhe me kohë si më lart. Konform nenit 303 par 8. të KPPRK-së, gjykata i bën thirrje çdo personi që ka informacion relevant për vendndodhjen e të akuzuarit Çedomir Aksiq, që t’ia komunikojë atë informacion policisë, me qëllim të sigurimit të prezencës së të akuzuarit Çedomir Aksiq në këtë çështje penale”, thuhet në ftesë për seancë për Aksiqin.

Sipas aktakuzës, Aksiq është i lindur në Shtime, por që adresë aktuale ka fshatin Naupare të Krushevcit në Serbi.

Ai akuzohet për krime lufte, përfshirë pjesëmarrjen në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë gjatë masakrës së Reçakut.



“I akuzuari Çedomir Aksiq, më datën 15 janar 1999 në fshatin Reçak, të Komunës së Shtimes, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminalë (tani për tani të paidentifikuar), grup ky i organizuar, i veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçante civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt apo luftë...” – thuhet në aktakuzë.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Aksiqit më 4 maj.

E, dy ditë para kësaj, është ngritur aktakuza e parë për gjykim në mungesë për krime lufte. Ajo është kundër Dejan Raçiqit, por të cilin ende nuk e ka ftuar gjykata.

Sipas avokatit Artan Qerkini, në raste të tilla gjykata nuk duhet të hezitojë t’i publikojë emrat e të akuzuarve, bashkë me ftesat, por ka shtruar nevojën që kur të publikohen aktakuzat të fshihen elementet identifikuese të viktimave të dhunës seksuale.


“Gjyqësori gjithmonë heziton t’i publikojë emrat e viktimave të dhunimit, por jo emrat e të akuzuarve për dhunime. Nuk ka kurrfarë pengese ligjore ose procedurale që emrat e tyre të publikohen”, tha Qerkini.

Të akuzuarit gjatë gjykimit në mungesë mbrohen nga avokatë të caktuar sipas detyrës zyrtare. E sipas Qerkinit, Oda e Avokatëve gjithmonë është treguar bashkëpunues me gjyqësorin në këto raste.

Edhe nëse dënohet në mungesë, i akuzuari ka të drejtë të kërkojë rigjykim.

Që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të cilat mundësojnë gjykimin në mungesë, Prokuroria Speciale i ka ngritur gjithsej gjashtë aktakuza ndaj personave të dyshuar për krime lufte.