“Hajn Ordiner” e ka quajtur Blerim Rexhën kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, raporton KTV.
Ai këtë deklaratë e ka bërë pasi mori shumë akuza prej deputetëve për shkarkimin e bordit të Agjencisë së Akreditimit, në krye të të cilit ishte Rexha.
Në seancën e jashtëzakonshme, ku po debatohej për përjashtimin e Kosovës nga EQAR-ja, Haradinaj tha se nuk i kupton kundërshtitë e partive politike për shkarkimin e bordit të kaluar. Dhe këtu disa herë replikoi me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
Se mund të ketë qenë i ngutshëm vendimi për shkarkimin e bordit të AKA-së, e tha ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.
Por, sipas tij, edhe me bordin e vjetër, EQAR-ja do ta përjashtonte Kosovën.
Kritika të përgjithshme për sistemin arsimor dhanë edhe deputetët e pozitës.
Por Bekim Haxhiu nga PDK-ja tha se ministri i Arsimit nuk bën të thirret në punët e qeverive të kaluara.
Arbërie Nagavci ka arsyetuar thirrjen e interpelancës, duke folur në përgjithësi për gjendjen në arsim.
Secili deputet para fjalimit uroi mësuesit për ditën e 7 Marsit.
Milaim Zeka tha se nuk ka mësues të pandërgjegjshëm në Kosovë. Këtu u ndërlidh Glauk Konjufca, i cili tha se i pandërgjegjshëm ka qenë mësuesi i Milaim Zekës, i cili e ka lejuar t’i kalojë klasat.