Neokirurgu Talat Gjinolli ka thënë se Kosova nuk ka një sistem shëndetësor që kur përfundoi lufta në vitin 1999. Gjinolli shton se sektorët e shëndetësisë në Kosovë funksionojë ndaras, dhe jo si organikë, prandaj sipas tij, nuk ka sistem.
“Nëse bëjmë paralelizëm me shtetet që kanë dalë prej Jugosllavisë, ato e kanë etabluar sistemin shëndetësor të trashëguar nga Jugosllavia. Te ne, fatkeqësisht, janë evolutive e jo revolutive. Te ne pas luftës kanë thënë nuk ekziston kurrgjë, po fillojmë prej zero. Dhe mund të themi prej ‘99-s e këndej, nuk kemi sistem shëndetësor. Për shembull sistemi kardiovaskular përbëhet nga enët e gjakut, zemra, venat e të tjera. Nëse e heqim zemrën, s’mund të funksionojë. Ashtu është edhe sistemi shëndetësor. Këtu sektorët funksionojnë ndaras prej njëri-tjetrit, jo si organikë”, ka thënë Gjinolli në “Java Sonte me Rronin”.
Si fajtor për këtë gjendje ai i lë partitë politike, që sipas Gjinollit, nuk kanë pasur asnjëherë program për shëndetësi bazuar në gjendjen në terren.
“Duhet të kërkojmë shkaqet te përzgjedhësit tanë, te ata që i votojmë. Asnjë parti politike s’ka pasur program për shëndetësi. Ata kanë mundur ta kenë fiktive, në letra, por në terren prej që jam këtu nuk shoh ndonjë gjë. Kemi filluar prej zeros dhe kemi mbetur te zero. Nëse nuk ke program, nuk mund të ndërtosh sistem. Secili ministër që ka ardhur, ka filluar prej zero. As te kjo partia që është në pushtet nuk po shoh diçka ndryshe”, ka thënë ai.
Gjinolli ka thënë se vlerësimi i profesionistëve shëndetësorë duhet të jetë një kategori e veçantë, e cila nuk duhet të banalizohet me shifra.
“Nuk duhet banalizuar vlera e një mjeku me shifra. Është pak më e madhe. Problemet zgjidhen kur ne fillojmë ta kontrollojmë rrjedhën e parave në shëndetësi. Paga nuk caktohen pa e caktuar vlerën e shërbimit”.
Gjinolli tutje u shpreh se ndihet i ofenduar nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili gjatë një prezantimi për “transformimin e shëndetësisë së Kosovës”, në një nga pikat përfshiu edhe “dashurinë ndaj mëmëdheut”.
“Është njëfarë lloj ofendimi për ne që jemi këtu. Unë e shumë kolegë të tjerë jemi formuar këtu. Kemi kaluar sisteme diskriminuese. Edhe nëse e ka pas për mjekët e rinj, e ka gabim. Ti duhesh t’i ofrosh kushtet një mjeku që shpenzon 11 vjet shkollë pa asnjë përfitim material”, ka deklaruar Gjinolli.