Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se partia e tij nuk ka pasur arsye pse të mos pranojë të hyjë në një qeveri të përbashkët me LDK-në, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.
Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se AAK-ja është e gatshme që të jetë pjesë e koalicionit me LDK-në për të formuar qeverinë.
“Jemi të gatshëm të jemi pjesë e qeverisë, edhe pse kemi qenë krejt në rregull që të rrimë në opozitë, pas 6 tetorit. Në 20 vjetët e fundit, ka pas ndërtim të institucioneve, me shumë defekte. Por s’janë 20 vjet të humbura. Kemi mundur të fitojmë më shumë, por s’janë të humbura. Të gjithë ata që po flasin për këtë e dinë se s’i kemi humbur 20 vjet. Për këto 20 vjet, AAK-ja ishte katër vjet në pushtet. Tri vjet bashkë me LDK-në. Jemi të qendrës së djathtë. Por në këto rrethana s’është pyetja pse po, por pse jo. Cila do të ishte arsyeja të refuzojmë qeverinë. Mundet me pas ndonjë arsye, por pse po janë shumë më të mëdha”, ka thënë ai.
Gjini ka thënë se AAK-ja ishte e gatshme të rrinte në opozitë, por ka shtuar se situata rrodhi ashtu që t’i ofrohet vendi në Qeveri, “duke respektuar normat kushtetuese”. Ka shtuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “me plot veprime ka shkarkuar qeverinë e vet e tash ka ardhur në pozitë ku po provon të mos ketë të tjerë në qeveri”.
Kryetari i Gjakovës ka folur edhe për situatën me koronavirusin në Gjakovë. Ai ka thënë se situata është nën kontroll aktualisht, por ka shtuar se qytetarët duhet të jenë të disiplinuar që të mos lejohet ndonjë shpërthim e dalje e situatës nga kontrolli.
E ka ripërsëritur qëndrimin se vendimi i Qeverisë për lejim qarkullimi për vetëm 90 minuta për qytetarët është antikushtetues.