Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjilani ka rezerva të ujit të pijshëm vetëm edhe për një muaj

Komuna e Gjilanit ka rezerva të ujit të pijshëm vetëm edhe për një muaj. Nëse deri në gjysmën e muajit nëntor nuk do të ketë reshje atmosferike, atëherë banorët që furnizohen nga Ujësjellësi “Hidromorava” do të mbeten pa ujë. Kështu bëri të ditur drejtori i kësaj kompanie, Muhamet Suliqi.

Ai tha se në përpjekje për zbutjen e kësaj gjendjeje, kanë filluar hapjen e disa puseve.

Banorët e Komunës së Gjilanit po përballen me mungesë të madhe të ujit të pijshëm. Gjendja e krijuar është pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike. Zyrtarët e Ujësjellësit Rajonal “Hidromorava” thonë se nëse deri në gjysmën e muajit nëntor nuk do të këtë reshje atmosferike, atëherë gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë.

Kështu bëri të ditur për Radio Kosovën drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, i cili tha se niveli i ujit prej ku furnizohet kjo komunë, ka rënë nën 10 metra.

“Sot e kemi nivelin 9,66. Tash po varet edhe prej kohës se a do të kemi të reshura a nuk do të kemi. Nëse nuk do të kem të reshura, nuk po mund të them asgjë konkrete,sepse i kemi edhe disa burime që jemi duke i shtuar. Kështu që mund të shkojë deri në mesin e nëntorit ose fundin e nëntorit, mund të ketë edhe shi që të na ndihmojë ta shtyjmë. Sipas të dhënave, shënimeve që i kemi, deri në 7 metra mund të marrim ujë, nën 7 metra jo, se edhe pompat ashtu janë të dizajnuara që nuk mund të merret ujë.

Suliqi ka thënë se një thatësi e tillë nuk është regjistruar në 20 vitet e fundit në Gjilan.

Edhe Gjilani ka rezerva të ujit të pijshëm vetëm edhe për një muaj Video Gjilani ka rezerva të ujit të pijshëm vetëm edhe për një muaj

“Brenda 20 viteve është hera e 4 që po ballafaqohemi me thatësi, por ky nivel asnjëherë nuk ka qenë brenda këtyre 20 viteve. Sipas informatave që i kam, ka qenë në vitin 1994, sa janë reale nuk e di, sepse nuk kam shënime për këtë.”

Suliqi ka thënë se gjendjen e rëndë me ujë të pijes menaxhmenti i Ujësjellësit e ka paraqitur disa herë edhe në Qeverinë e Kosovës, por se kjo e fundit nuk e ka marrë asnjëherë parasysh.

Ndërsa tani, sipas tij, Komuna e Gjilanit i ka ndarë 200 mijë euro për t’i hapur disa puse shtesë, të cilat do të ndihmojnë në furnizim të pjesshëm me ujë të pijes për banorët e Gjilanit.