Sekretari Parlamentar pranë Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Johann Saathoff, deklaroi të premten në një konferencë për media në Prizren se për Gjermaninë është thelbësore që Kosova të ketë një qeveri stabile dhe partnerë të besueshëm për bashkëpunim.
“Sa i përket situatës së formimit të qeverisë në Kosovë, mund të them vetëm se për ne si Republikë Federale e Gjermanisë është e rëndësishme të bashkëpunojmë me një partner në stabilitet. Do të thotë, për ne është e rëndësishme të kemi edhe bashkëbisedues të besueshëm. Në shoqërimin e përbashkët të rrugës drejt Bashkimit Evropian është patjetër e rëndësishme që të krijohet një qeveri e besueshme, me të cilën mund të bashkëpunojmë në partneritet dhe të vazhdojmë punën tonë së bashku. Do të ketë ende disa sfida në të ardhmen, të cilat ne dëshirojmë t’i përballojmë së bashku”, tha ai.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Kosovë, Saathoff do të zhvillojë takime me përfaqësues të qeverisë dhe do të vizitojë projekte që mbështeten nga Qeveria gjermane.
Sipas njoftimit të ambasadës, kjo vizitë nënvizon angazhimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për të nxitur rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimin dypalësh.
-
Rudolph: Kosovës i duhen institucione stabile për ta avancuar agjendën evropiane
-
BE: Kosovës i duhen institucione funksionale për të përshpejtuar reformat dhe rrugën evropiane
-
Ambasadori gjerman: Dialogu kyç për stabilitet dhe perspektivë evropiane
-
Gjermania: Për përparim në integrime evropiane, Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme
-
Gjermania pret thellim të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës