Arbëri

Asnjë ligj i miratuar nga 17 sa i planifikoi MSH-ja për vitin 2021

Asnjë ligj i ri për shëndetësi nuk ka kaluar në vitin 2021, ndonëse në agjendën legjislative ishin disa të tilla të planifikuara. Por janë amendamentuar gjashtë prej ligjeve ekzistuese.

Ministria e Shëndetësisë qysh prej vitit 2015 ka ngecur në miratimin dhe nxjerrjen e ligjeve të reja, e një praktikë e tillë është përsëritur në vitin që shkoi.

Në agjendë legjislative të vitit të kaluar ishin planifikuar 17 ligje. Në mesin e tyre edhe amendamentimi i Ligjit për Shëndetësinë e Ligji për Sigurime Shëndetësore.

Në bazë të evidencës së ligjeve, dokument që gjendet në faqen e Kuvendit të Kosovës e që tregon për ligjet e miratuara në Kuvend nga secila legjislaturë, nga paslufta e deri më 24 dhjetor të vitit 2021, asnjë ligj i ri në këtë fushë nuk është miratuar, janë amendamentuar gjashtë ligje, ndërsa kanë kaluar dy ligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë.

Megjithatë, një pjesë e ligjeve tashmë janë në proces të hartimit.

Nga 17 ligje, për fushën e shëndetësisë sa është dashur të përfundohen një vit më parë, vetëm 7 janë në procedurë.

Dy nga këto 7 ligje janë vendimtare për sistemin shëndetësor. Amendamentimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore e ai për Shëndetësi kanë mbetur në procedurë për këtë vit.

Një nga ligjet më të rëndësishme për sistemin publik shëndetësor është Ligji për Rregullimin e Çmimit të Barnave. Tash për tash ekziston një udhëzim administrativ për këtë çështje, por që nuk është zbatuar asnjëherë për shkak të disa neneve kontestuese.

Ish-ministri Arben Vitia pati thënë se ky ligj do të ishte i pari që do të hartohej.

“Fatkeqësisht udhëzimi administrativ që ka ekzistuar është anuluar dhe fatkeqësisht e kemi situatën që e kemi, praktika ka treguar që edhe me udhëzimin administrativ kjo gjë nuk mund të rregullohet prandaj edhe në agjendën legjislative ndër ligjet e para që e kemi në dorë për të proceduar është Ligji për rregullimin e çmimit të barnave, që njëherë e mirë çështja e rregullimit të çmimit të barnave të bëhet përmes ligjit dhe e cila nuk mund të ndryshojë më siç ka ndryshuar deri tani”, kishte thënë ai.

Megjithatë, ky ligj ende nuk është as në procedurë.

Kosova nuk ka ligj për Transplantimin e Indeve dhe Organeve, e para 9 vjetësh ishte iniciuar një ligj i tillë, por që ishte stopuar me kërkesë të misionit të EULEX-it, të cilët atëkohë po zhvillonin hetime për rastin e njohur si “Medicus”, e që kishte të bënte me transplantime të jashtëligjshme.