Një ditë pasi që Zyra e Rregullatorit për Energji ka hapur proces për rishqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave në mungesë të subvencioneve, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se është duke u punuar në gjetjen e modaliteteve për jetësimin e zotimit. Ajo, ndërkaq, ka bërë thirrje për kursimin e energjisë me qëllim të kapërcimit të një “dimri të jashtëzakonshëm”, si shkak i pushtimit të Ukrainës nga Rusia
Tarifat e energjisë elektrike rrezikojnë të rriten, pasi që Qeveria, as pas gjashtë muajsh nga zotimi, nuk ka arritur që të gjejë një zgjidhje teknike për disbursimin e subvencioneve të premtuara për qytetarët.
Një ditë pasi që Zyra e Rregullatorit për Energji ka hapur proces për rishqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave në mungesë të subvencioneve, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se është duke u punuar në gjetjen e modaliteteve për jetësimin e zotimit.
“Javën e kaluar kemi marrë kërkesën nga ZRRE-ja, ku është thënë se kalkulimet janë të sakta dhe është bërë kërkesa për pagim. Jemi në konsultim me sekretarin e Komitetit të Energjisë dhe USAID-in që kanë ofruar mbështetje teknike për mënyrën e realizimit të marrëveshjes. Po punojmë intensivisht dhe do të ndodhë shumë shpejt”, ka thënë Rizvanolli të mërkurën, gjatë një konference për media.
Burime të KOHËS përbrenda ZRRE-së kanë bërë të ditur se brenda dy javësh do të merret një vendim rreth kërkesës së adresuar nga KESCO-ja lidhur me tarifat e reja të rrymës. Këto burime kanë bërë të ditur se po qe se kërkesa e KESCO-s pranohet, atëherë tarifat e rrymës mund të rriten për 20 për qind. Kërkesën për rishqyrtim KESCO-ja e ka justifikuar me mosdisbursimin e subvencioneve të premtuara nga Qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.
Rizvanolli ka thënë të mërkurën se Qeveria është e përkushtuar për t’i mbështetur qytetarët nga një rritje e papërballueshme e tarifave. Ajo, ndërkaq, ka bërë thirrje për kursimin e energjisë elektrike me qëllim të kapërcimit të një dimri “të jashtëzakonshëm”, si shkak i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Ajo ka përmendur masat emergjente për kursimin e energjisë elektrike, të cilat janë miratuar ditë më parë në Kuvend.
“Dimri do të jetë i vështirë për të gjithë Evropën. Kjo do të ndikojë edhe në ne. Shtetet si Britania, Zvicra, kanë paraqitur masa të ndryshme për kursime të energjisë. Në këtë aspekt është mirë të jemi të vetëdijshëm për çfarë na pret. Ne po marrim masat e nevojshme. Aq më pak të importojmë, aq më pak do të ndikohemi. KEK-u po bën përgatitjet që ndërhyrjet në blloqet A dhe B të përfundojnë para dimrit. Duhet të kursejmë energjinë”, ka theksuar Rizvanolli, teksa ka njoftuar se masat i janë dërguar Ministrisë së Financave për vlerësim mbi subvencionimin.
Në masat emergjente të Qeverisë parashihet se si institucionet publike duhet që të kursejnë energjinë elektrike.
“Marrëveshja me Shqipërinë për energjinë do të na ndihmojë që ta kalojmë këtë dimër. Do të jetë dimër i jashtëzakonshëm. Në tregun evropian nuk do të ketë energji për të blerë nëse Rusia e ndalon gazin ashtu siç bëri muaj më parë. Ky është realiteti me të cilin do të përballemi, ashtu si vendet e tjera. Do të bëjmë maksimumin që ta kalojmë këtë dimër sa më lehtë, por na duhet edhe ndihma e juaj”, ka potencuar Rizvanolli.
E Qeveria të mërkurën ka ndarë 40 milionë euro për KOSTT-in deri në muajin tetor, për mbulimin e konsumit për pjesën veriore, ashtu që të mos rrezikohet marrëveshja e kyçjes me ENTSO.
“Vlera e ndarë parasheh që të përmbushen detyrimet deri në momentin kur i kalon afati Udhërrëfyesit dhe jo më tej”, ka thënë ajo. Por ndaj këtij vendimi ka reaguar deputeti nga Lidhja Demokratike, Avdullah Hoti. Ai ka shtruar pyetjen se me çfarë plani është duke u bërë ndarja e mjeteve, teksa ka kritikuar qasjen e Qeverisë në raport me situatën energjetike dhe paralajmërimet për krizë.
“Fatkeqësisht, po dëshmohet çdo ditë se menaxhimi i sektorit të energjisë në përgjithësi dhe i krizës në veçanti nga ana e Qeverisë është kaotik. Në mungesë të vendimeve adekuate sot i gjithë sektori energjetik është në situatë tepër të vështirë…kompanitë kryesore energjetike, si KESCO, KEDS, KEK dhe KOSTT, kanë borxhe ndaj njëra-tjetrës. Ato e kanë të vështirë të kryejnë edhe obligimet e tyre të rregullta, e lëre më të blejnë energji paraprakisht për dimër dhe të përgatiten për krizën që na pret”, ka thënë Hoti.
Nga Korporata Energjetike e Kosovës është bërë e ditur se po synohet që gjatë sezonit të dimrit të sigurohet prodhim deri në 900 megavat. Por blloku A5 i Kosovës ka dy javë që është jashtë funksionit dhe sipas kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, nuk do të kthehet deri në fund të nëntorit.
“Blloku A5 është jashtë përdorimit dhe pas një inspektimi që është bërë nuk presim që të hyjë në punë derisa të bëhet remonti kapital që bëhet një herë në 5 vjet dhe i cili pritet të zgjatë diku rreth 3 muaj”, ka thënë Krasniqi.
Ai në një intervistë për emisionin “60 minuta” të KTV-së ka folur të mërkurën për kapacitetet e KEK-ut dhe për interesimin për shitjen e thëngjillit. Krasniqi ka thënë se udhëheqësit e Korporatës Energjetike në Maqedoninë e Veriut kanë shprehur interesim për blerjen e thëngjillit, dhe se kjo do të ndikojë që KEK-u të mund të rrisë të hyrat e korporatës.
“Kemi diskutuar me udhëheqësit e korporatës energjetike të Maqedonisë së Veriut për mundësinë e shkëmbimit mes thëngjillit dhe energjisë elektrike, por për momentin nuk është se kemi parë shumë mundësi për ta bërë këtë shkëmbim, sepse edhe ata kanë kërkesa të mëdha të energjisë elektrike. Por këto biseda do të vazhdojnë dhe në të ardhmen mund të arrijmë një gjë të tillë. Ajo çfarë jemi pajtuar është se do të publikojmë një tender për shitjen e thëngjillit dhe ata kanë shprehur interesim që të vijnë dhe të blejnë thëngjill nga ne dhe kjo do të ndikojë që ne të rrisim të hyrat e korporatës”, ka thënë ai.
Krasniqi është shprehur se kriteret e tenderit janë të përcaktuara, porse tregu e përcakton më pas se cili do të jetë çmimi i shitjes së thëngjillit.
“Në kuptim të shkëmbimit, ne nuk është se kemi bërë ndonjë marrëveshje, sepse edhe ata për momentin nuk kanë energji të mjaftueshme”, ka thënë ai, teksa ka njoftuar se qysh nga periudha e pranverës Kosova ka depozituar teprica të energjisë elektrike në Shqipëri. Rreth 110 megavat orë është sasia e depozituar në KESH, e cila sipas Krasniqit do t’i kthehet Kosovës gjatë dimrit.
“Qysh nga periudha e pranverës kur ka filluar të bjerë konsumi, vazhdimisht një pjesë të tepricave i kemi depozituar në Shqipëri. Edhe pse kemi një marrëveshje të mëhershme qysh nga viti 2018, tani e kemi bërë edhe një aneks të marrëveshjes dhe aty kemi precizuar se të gjitha tepricat që i depozitojmë në KESH gjatë kësaj periudhe do të na kthehen gjatë periudhës prej nëntorit deri në mars. Deri në momentin që po flasim, kemi diku rreth mbi 110 MW/h që e kemi depozituar në KESH e që do të na kthehet gjatë periudhës dimërore”, ka bërë të ditur ai.
Lidhur me eksportin e thëngjillit, Krasniqi ka thënë se KEK-u nuk është i përgatitur që të eksportojë sasi të mëdha. Ai ndërkaq i ka mohuar raportimet se Serbia ka adresuar kërkesë për blerjen e thëngjillit nga Kosova.
“Pajisjet tona dhe e gjithë infrastruktura nuk është e përgatitur për eksport të sasive të mëdha të thëngjillit, por kërkesa ekziston në treg për shkak të krizës energjetike botërore. Te ne, si korporatë, nuk ka ardhur asnjë kërkesë nga askush nga Serbia që të kërkojë thëngjill”, ka thënë Krasniqi.