Arbëri

Gjakova dhe USAID-i me Memorandum Mirëkuptimi

​Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini dhe drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë James Hope, sot nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, përmes së cilit synohet ngritja e një sistemi të qëndrueshëm të prokurimit publik, me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e besimit të qytetarëve.

Ky memorandum nis bashkëpunimin e ri në mes të komunës së Gjakovës dhe USAID-it në projektin “Komunat transparente, efektive dhe llogaridhënëse”, projekt, i cili ofron përkrahje të drejtpërdrejtë për komunën e Gjakovës në rritjen e kapaciteteve dhe vendosjen e mekanizmit të ri, duke përfshirë edhe funksionimin e sistemit të prokurimit elektronik.

Kryetari Gjini ka thënë se kjo është një ndihmë në kuadër të ndihmës së vazhdueshme që SHBA-ja përmes USAID-it e kanë dhënë për Gjakovën dhe Kosovën në përgjithësi tash e sa vjet.

“Sot është një ditë e rëndësishme për Gjakovën, jo vetëm për administratën dhe për ne por për të gjithë qytetarët e Gjakovës. Edhe një herë për pothuajse 20 vite, populli amerikan përmes USAID-it është afër qytetarëve të Gjakovës, këtë rast siç ka qenë afër qytetarëve të Kosovës në vazhdimësi. Ne po marrim një ndihmë shumë serioze nga USAID-i për përmirësimin e punës sonë, punës në komunën e Gjakovës në mënyrën se si ne i kryejmë shërbimet tona, në mënyrë që ajo ne bëjmë për qytetarët e Gjakovës të jetë sa më efikase, sa më e pastër, më transparente dhe më e shpejte”, ka thënë ai.

Drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope ka thënë se projekti do të ndikojë që Gjakova në të ardhmen të jetë një komunë edhe më e mirë dhe shembull i qeverisjes së mirë, transparencës dhe efikasitetit.

“Fusha e prokurimit publik është shumë e rëndësishme për qytetarët që të krijojnë besim në mënyrën se si punon komuna dhe është shumë me rëndësi të kemi transparence dhe llogaridhënie në këtë proces”, ka thënë ai.

Duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në këtë drejtim, ai e ka thënë se përmes kësaj përkrahje, komuna e Gjakovës do të arrijë ta perfeksionojë sistemin e prokurimit publik, duke e rritur nivelin e transparencës dhe llogaridhënies para publikut