Në rast të pranimit të Kosovës në Këshill të Evropës, përfituese s’do të ishte vetëm Kosova, por të gjithë, ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla. Sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në KiE s’do të ishte humbje për askënd.
Në një konferencë për media të premten, Gërvalla ka thënë përfshirja e Kosovës në këtë organizatë do të ishte kontribut për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.
“Jemi dëshmitarë që gjatë këtyre ditëve shtete e ndryshme janë duke marrë vendime të rëndësishme. Ne besojmë që tani është koha për ta marrë veprimet e duhura. Prandaj edhe kemi vendosur që këtë vendim të rëndësishëm ta marrim tani. Ne besojmë që ky është hapi i duhur në kohën e duhur. Fitojnë të gjithë e s’humb askush”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka pranuar se ky është veç hapi i parë i një rruge të gjatë me plot sfida.
Ministrja ka mohuar deklaratat e krerëve serbë se katër shtete e kanë çnjohur Kosovën. Sipas saj, deklarata e Serbisë mund të shihet në dy kënde.
“E para, ose është lajm i pavërtetë, dhe e dyta ose kanë shumë kohë që punojnë për çnjohje. Kemi pas informacione që Serbia në asnjë moment s’ka pushuar së punuari për çnjohje të ndryshme madje në Afrikë ka pasur oferta të kombinuara të armëve ruse me vaksina ruse dhe për çudi sheqer. Kjo ka qenë oferta që u është bërë disa prej shteteve që s’e kanë tërhequr njohjen. S’jap emra sepse s’dua të ekspozoj. Është konfidenciale. S’ka çnjohje”, ka thënë Gërvalla.
Madje, sipas saj, Serbia duhet ta mbështesë pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës. “Nëse ajo në të vërtetë u interesuaka për qytetarët serbë të Kosovës, ky është hapi më i rëndësishëm edhe për ta, që Kosova të pranohet”, ka shtuar Gërvalla që ka thënë se Beogradit s’i intereson jeta e serbëve të Kosovës, por dëshiron ta ruajë ndikimin brenda Kosovës.
Ka thënë se Kosova po punon për njohje të reja, ndërsa është shprehur e bindur se shtetet që e kanë njohur pavarësinë do ta përkrahin edhe pranimin në KiE. Sipas saj, ka raste kur edhe shtetet që s’e kanë njohur Kosovën, do ta mbështesin për pranim në Këshill të Evropës.