Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gërvalla mirënjohëse, anipse Turqia më s’po i trajton falas pacientët kosovarë

Donika Gervalla me Mevlut Cavusoglu

Pavarësisht se Turqia ka marrë vendim të mos i trajtojë falas pacientët kosovarë derisa Kosova t’i paguajë borxhet mbi 25 milionë euro spitaleve turke, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, shprehu mirënjohje për Turqinë për mundësinë e trajtimit pa pagesë për pacientët nga Kosova në takimin e së dielës me homologun turk, Mevlut Çavusoglu.

Duke mos përmendur dyshimet e ngritura pas raportimeve të KOHËS për abuzime milionëshe të trajtimeve në Turqi në kuadër të programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Publike, Gërvalla u shpreh mirënjohëse ndaj Qeverisë së Turqisë “për fushën e shëndetësisë, për dhënien e trajtimit pa pagesë për pacientët nga Kosova dhe për mundësinë e trajnimeve të ofruara për punonjësit shëndetësorë”.

Mirëpo pacientët kosovarë ka disa vite që nuk po pranohen të trajtohen falas nga spitalet e Turqisë. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në një tryezë me drejtorët e klinikave dhe të spitaleve, të mbajtur më 25 maj, ka thënë se ka kërkuar vazhdimin e trajtimit të pacientëve falas, por ministri turk ka thënë se kjo nuk do të ndodhë derisa të paguhen borxhet ndaj spitaleve private.

“I kam kërkuar që të vazhdohet trajtimi i pacientëve nga Kosova. Më tha ju duheni një herë të na paguani borxhin prej 25 milionë eurosh”, ka thënë Latifi për borxhet që nuk janë paguar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Ndërkohë, zyrtarisht Fondi i Sigurimeve Shëndetësore para rreth 10 ditësh i ka thënë KOHËS se zbatimi i marrëveshjes është pezulluar për shkak të pandemisë nga viti 2020 dhe se ky pezullim vazhdon të mbetet në fuqi.

Edhe Avokati i Popullit i Shqipërisë i kërkon sqarime Qeverisë në Tiranë për mostrajtim falas të pacientëve nga Kosova Arbëri Avokati i Popullit i Shqipërisë i kërkon sqarime Qeverisë në Tiranë për mostrajtim falas të pacientëve nga Kosova

“Në vitin 2019, është plotësuar 100 për qind numri i lejuar i pacientëve, të cilët pranohen për trajtim falas në Republikën e Turqisë. Ndërkaq, në vitin 2020, deri në muajin mars janë regjistruar vetëm 33 pacientë për shkak se nga 13 marsi jemi ballafaquar me pandeminë COVID-19, me ç’rast edhe jemi njoftuar nga ministria e Shëndetësisë së Kosovës, se është pezulluar zbatimi i kësaj marrëveshjeje, pikërisht për shkak të pandemisë dhe ky pezullim vazhdon edhe tani”, thuhet në përgjigjen e FSSH-së.

Sipas marrëveshjes, deri në 100 pacientë mund të trajtohen falas brenda një viti kalendarik në spitalet e Turqisë.