Të ekzekutuarit ende mund të flasin dhe në mes të Beogradit të kërkojnë jo vetëm drejtësi, por edhe paqe - për një Shtëpi Evropiane të Paqes në Batajnicë.
1.
U shkrua në disa vende, për aq sa prej rrëfimit anekdotal të kalojë në histori, se me një rast oficerë të Gestapos në Parisin e okupuar shkuan në atelienë e Pablo Picassos. Njëri prej tyre u ndal gjatë duke e shikuar pikturën “Gernika”, që më vonë do të njihej gjithandej si njëra prej veprave më të njohura botërore, ktheu kokën kah piktori dhe e pyeti:
-Ju e keni bërë këtë?
-Jo, tha Picasso. E keni bërë ju!
“Gernikën” e kishte bërë Luftwaffe, aviacioni ushtarak i Hitlerit, duke e bombarduar qytetin bask.
“Gernikën”, rrëmujën e këmbëve, duarve, gojëve, njerëzve e shtazëve - tërë atë kompozicion që shënon shkatërrimin që e bën lufta, shkatërrimin të zënë në një çast, bardh e zi, me shprehjen e mjeshtrit kubist, e bëri Picasso.
2.
Më 26 prill të vitit 1937 ndodhi bombardimi i Gernikës. Thuhej se nga bombardimi u vranë një mijë njerëz, pastaj dy mijë e pas tetëdhjetë vjetësh dhe studimeve nga hulumtues të ndryshëm është arritur një numër konsensual prej 300 vetash.
Gati numër i njëjtë njerëzish u vranë në gati të njëjtën ditë, pra më 27 prill të vitit 1999, 62 vjet më pas, në një fshat afër Gjakovës, në masakrën e Mejës. Nga grupe të ndryshme fshatarësh të Rekës së Keqe u ndanë 274 djem e burra, u ekzekutuan që të gjithë. Për dallim prej masakrave të tjera në Kosovë e në ish-Jugosllavi nuk mbijetoi kush për të rrëfyer.
Rrëfimi për Gernikën tejkaloi viktimat, numrin konkret të tyre. Piktura e Picassos u shndërrua në njërin prej simboleve më të forta të antifashizmit, e më vonë edhe si njëra prej simboleve më të forta të lëvizjeve kundër luftës e për paqe.