Dren Gërguri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, ka folur mbi diskursin politik në prag të zgjedhjeve në Kosovë. Ai në Express Intervistë tha se në mënyrën e komunikimit publik ka ndikuar edhe pandemia me COVID-19.
“Te ne është praktikë që kur kuptohet se kemi zgjedhje, të fillohet një fushatë parazgjedhore. Çka e karakterizon këtë herë është që në një formë e kemi një gjuhë që nuk i bën mirë as shoqërisë, as partive duke e proklamuar atë lloj komunikimi që po e shohim. Edhe pandemia ka ndikuar në këtë gjuhë. Nga marsi e tutje kemi pasë rritje të shkallës së gjuhës fyese në rrjete sociale dhe tash tematika ka ndryshuar por ai nivel i gjuhës ka mbetur i njëjtë”, tha ai.
Sipas Gërgurit, pandemia e ka intensifikuar gjuhën denigruese edhe te qytetarët për shkak se “kanë qenë në shtëpi shumicën e kohës”.
Ai e sheh median si formë kyçe për ta kthyer vëmendjen e shoqërisë dhe për të mos u dhënë hapësirë diskurseve të tilla.
“Në një debat televiziv serioziteti dhe argumenti duhet të mbizotërojnë dhe jo të tjerat. Media duhet ta caktojnë temën në interes të qytetarit dhe të kufizojë temat që nuk janë në të mirë të tyre. Thjesht nuk ua krijon hapësirën të cilën mund t’ua krijosh. Te ne krahas shoqërisë së papërgatitur në aspektin e përmbajtjes mediale, po kemi media që po japin hapësirë këtij lloj komunikimi që po i denigron”, tha Gërguri.
Gërguri tha se subjektet politike duhet të kenë kujdes jo vetëm në gjuhë por edhe në formën e realizimit të fushatës së tyre për shkak të pandemisë.
“Do duhej të kishin kujdes edhe në formën e realizimit sepse kemi pa edhe në fushata lokale që i kishim edhe qendrore se masat për të cilat ne jemi përkujdesur shumë si qytetarë, njëherësh i lëmë anash dhe është në dëm të shoqërisë”, shtoi tutje.
“Ne jemi shoqëri që përdorimin e internetit e kemi në shkallë shumë të lartë, 93 për qind, që i bie, të gjitha partitë le ta mendojnë komunikim përmes internetit”.
Gërguri ka shtuar se pas një kohe, denigrimi i diskursit publik “mund të kaloj në të zakonshme që do të jetë problem i madh”.