Gazetarja e televizionit publik, Gentiana Begolli është zgjedhur kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Begolli që ishte në garë me Alban Selimin dhe Fitim Gashin, mori 97 vota.
Gazetari Selimi mori 77 vota ndërsa Gashi 63.
Anëtarë të rinj të bordit të AGK-së janë: Leonora Dalipi me 110 vota, Ardiana Thaçi me 90 vota, Arsim Halili me 75 vota, Elvira Berisha me 58 vota, Dardan Hoti me 57 vota, Mentor Gjergjaj me 48 vota, Besiana Krasniqi me 43 vota si dhe Mentor Buzhala 40 vota. Ndërsa Besarta Maliqi, Beadin Syla dhe Pleurat Salihu nuk kanë mundur t’i marrin votat e nevojshme për të hyrë në bord të AGK-së.
Grupi Koha (Koha Ditore, KTV, Koha.net, Tv Arta) kishte vendosur që në zgjedhjet për anëtarësinë e re të Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) të kandidojë me tre gazetarë. Gazetari i “Kohës Ditore”, Fitim Gashi, ishte përzgjedhur të jetë kandidat për kryetar të Bordit të AGK-së, ndërsa gazetarja e “Koha Visionit”, Ardiana Thaçi, dhe gazetarja e “Kohës Ditore”, Elvira Berisha, kandidate për anëtare të Bordit.
Para pak ditësh, Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës i përbërë nga: Arsim Halili, Beadin Syla, Besiana Krasniqi, Dardan Hoti, Fidan Rama, Majlinda Aliu, Taulant Qenaj dhe Valdrin Krasniqi, kishte dhënë dorëheqje unanime për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të përgjithshme të jashtëzakonshme të AGK-së.
Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në qershor shkarkoi nga detyra drejtorin ekzekutiv të AGK-së, Arben Salihun, nën dyshimin e bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi, falsifikim dokumentesh, raportim të rrejshëm para Bordit dhe lidhje të kontratave të dëmshme pa dijeninë paraprake të Bordit, duke bërë shkelje të statutit të organizatës, kontratës së punës dhe legjislacionit në fuqi.
Bazuar në dyshimet fillestare, sipas AGK-së, Salihu prej datës 13 mars 2018 ka qenë i suspenduar nga detyra me qëllim që t’i hapej rrugë një auditimi gjeneral dhe të pavarur të organizatës për periudhën dyvjeçare. Pas pranimit të Raportit të Auditimit ku janë konstatuar shumë shkelje, Bordi i AGK-së, ka marr vendim të prerë që Salihu me automatizëm t’ia shkëpus kontratën.
AGK poashtu ka miratuar dorëheqjen e financieres Florina Desku, e cila është ofruar pas prezantimit të draft dokumentit të auditimit të pavarur, ku evidentohen shkelje dhe lëshime në fushën e menaxhimit të financave si dhe pasi është zënë duke raportuar rrejshëm lidhur me raportet financiare të dorëzuara tek donatorët.