Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gazetarët e radiove në Kosovë e vlerësojnë si medium personal për dëgjuesit

Çdo ditë zërat e tyre ju shoqërojnë në automjete, shtëpi e vendeve të juaja të punës.

Në Ditën Botërore të Radios, gazetarët vlerësojnë se radio është medium personal intim dhe më social në botë.

Për gazetaren në radion publike, Vera Pelaj, përveç që është një kënaqësi, është po ashtu përgjegjësi e madhe dalja para mikrofonit.

Ajo duke e treguar përkushtimin e saj për punën që bën, thotë se radio do të mbetet relevante edhe me ndikim të madh për shumë vite që vijnë.

"Ndodh që ndonjë ditë është shumë e lodhshme, përgjegjësinë duhet ta kemi të gjithë, pasi është përgjegjësi e madhe të dalësh para mikrofonit, përveç që të transmetohet është serioziteti dhe përçimi i saktë dhe i shpejtë, kështu që nganjëherë lodhemi, por ndiejmë një kënaqësi, pasi e dua. Radion gjithmonë e kam pasur ëndërr si fëmijë, e mbaj mend veten, pasi babi gjithmonë e ka blerë gazetën dhe e ka sjellë në shtëpi çdo ditë dhe unë si fëmijë merrja gazetën dhe bëja sikur jam folëse e lajmeve”, ka thënë ajo.

Duke e cilësuar si dashuri të parë të profesionit të tij, gazetari Uran Haxha, thotë se radio nuk do të vdesë kurrë.

Edhe Gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve Arbëri Gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve

“Veçantia e radios, ne folësit lidhemi direkt me dëgjuesin, lidhemi me dëgjuesin në vetën e dytë jo në vetën e tretë, pra secili prej tyre është i lidhur me ne. Radio ka arritur me depërtua gjithkund, është mediumi që nuk mundet me kontrollua, edhe nëse ndalet rryma në transistor të vogël mundesh me dëgjua radion, edhe nëse je në automjet mundesh me dëgjua radion mundesh me vozit, nëse je në punë mundesh me dëgjua radion edhe me punua, çka nuk mundesh është me lexua një gazetë edhe me punua, apo me shikua diçka në televizion edhe me dëgjua”, ka thënë Haxha.

Shton se në emisionin e tij në mediumin “Paper Radio”, ka vërejtur që qytetarët nuk e shfrytëzojnë radion vetëm për argëtim, por edhe për t’u informuar për ngjarjet ditore.

13 shkurti është zgjedhur Dita Ndërkombëtare e Radios pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë.

Ndërkaq, në Kosovë Radio Prishtina për herë të parë, më 1945, filloi transmetimin nga antenat e vendosura në minaren e xhamisë së Sinan Pashës në Prizren. Pastaj, kjo radio u transferua në Prishtinë.