Burim Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, në Express Intervistën ka thënë se qytetarët nuk duhet të kenë panik, por kujdes të shtuar.
Ai ka thënë se qytetarët nuk duhet të frekuentojnë QKMF-të, derisa thekson se këshilla më e mirë është qëndrimi në shtëpi.
Gashi ka treguar për masat që ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës për të luftuar koronavirusin, përmes ngritjes së tendave.
“Të gjithë rekomandohen për në tendë fillimisht, që pastaj e bën një filtrim edhe më të madh të pacientëve, dhe pastaj vendoset që të referohen si të dyshimtë ose të vetizolohen në shtëpi, ose të mbesin në Klinikën infektive”, ka thënë Gashi.
Tutje ai ka bërë të ditur nga dita e djeshme janë vizituar rreth 40 pacientë, 6 janë referuar në Klinikë Infektive e 2 për vetizolim në shtëpi.
“Jemi 24 orë të mbajtjes së pikës në Qendrën Studentore. Dhe prej një numri që dje ishin rreth 60, e pritet që do të ketë ardhje të qytetarëve të tjerë. Të gjitha Ambulantet në fshatra vazhdojnë të ofrojnë shërbimet e njëjta si deri më tani, por si do të bëhen ndryshmet atëherë varet nga situata, e shërbimi do t’u bëhet edhe në shtëpi nëse është e nevojshme”, u shpreh ai.
Gashi thotë se momentalisht nuk kanë marrë ndihmë shtesë, pasi komunat e tjera kanë më tepër nevojë.
“Kapacitetet e komunës së Prishtinës janë ato që janë, pasi kemi pasur probleme me numrin e stafit, por në raste emergjente shkurtohet numri për gjërat e tjera. Si Prishtinë për momentin nuk kemi kërkuar ndihmë shtesë, pasi u kemi dhënë hapësirë komunave të tjera që kanë më shumë nevojë. Nëse ka me pas rritje të fluksit do të rrisim kapacitetet në disa pika, që të kufizojmë kontaktin dhe të mos lejojmë pacientët që të frekuentojnë në të gjitha qendrat në mënyrë që të kursejmë personelin dhe për këtë janë vendosur tendat”, thotë Gashi.
Ai tregon se çfarë ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës për të mos humbur personelin shëndetësor.
“E dini që nëse një pacient ka hyrë dhe ka kontaktuar të gjithë personelin dhe del se është pozitiv atëherë i gjithë personeli shkon në karantinë dhe kështu do të humbim numër të personelit. Mirëpo për të mos ardhur deri në një situatë të tillë ne kemi parandaluar. E tash nëse kemi një rast pozitiv, atëherë ne e fusim një mjek dhe një infermier të tendës në karantinë, e jo 10 punëtorë shëndetësor të një qendre siç ka ditur të ndodhë në vendet apo qendrat e tjera. Pra, kjo e minimizon numrin e punëtorëve shëndetësor të cilët rrezikohen nga infektimi”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se këshilla më e mirë është qëndrimi në shtëpi, pasi një gjë e tillë e ndalon përhapjen e virusit.
“Në shumicën e këshillave nga IKSHP-ja këshillat janë që kujdes të kemi, por jo panik. Duhet ta eliminojmë panikun por s’mund të them të mos kenë kujdes, përkundrazi duhet të të ketë kujdes maksimal. Qytetarët duhet të rrinë në shtëpi, nuk duhet të frekuentojnë qendrat. Secila statistikë ka treguar se mbyllja në shtëpi dhe pamundësia e kontaktit në rend të parë e ka ndalë shpërndarjen e virusit dhe kjo është më se e duhura. Pacientët nuk duhet të dalin në vende ku ka persona në numër, sepse kjo jashtëzakonisht shumë e ndihmon shpërndarjen e virusit, kjo është një këshillë shumë e qëlluar”, ka thënë Gashi.