Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gallup: Shqipëria, në vendin e tretë për dëshirën për emigrim – Kosova e 24-ta [lista]

Foto: Reuters / ilustrim

Instituti i specializuar për hulumtime, Gallup, përmes sondazhit të fundit të publikuar në ueb-faqen e tij në lidhje me dëshirën e popujve për të migruar, e ka renditur Shqipërinë në vendin e tretë në këtë listë.

Gallup thotë se 14 për qind e popullsisë globale në moshë madhore dëshiron të emigrojë. E përkthyer në vlerë, kjo do të thotë se aktualisht mbi 710 milionë persona në gjithë botën duan të largohen nga vendi i tyre.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rezultatet kanë dalë nga një sondazh global, më i madhi i realizuar ndonjëherë, përmes të cilit Gallup ka pyetur direkt mbi 586 mijë veta në 156 vende të ndryshme të botës, raporton Koha.net.

Sipas sondazhit, del se shtetasit më dëshirën më të lartë për të emigruar nga vendi i tyre janë qytetarët e Sierra Leones, një vend i mbërthyer nga luftërat civile dhe konfliktet e armatosura.

Sipas këtij sondazhi, del se 62 për qind e popullsisë së Sierra Leones do të donte të largohej nga vendi. E treta renditet Shqipëria, me përqindje të barabartë me Haitin që gjendet në vendin e dytë.

Sipas Gallup, më shumë se gjysma e shqiptarëve, përkatësisht 56 për qind e popullsisë, duan të largohen nga Shqipëria. Pas Shqipërisë, vijnë dy vende të tjera afrikane, Liberia me Kongon, ndërsa Siria rezulton në vendin e nëntë.

Gjetjet e sondazhit i përkasin periudhës 2013-2016. Përveçse në tre vendet me përqindjen më të lartë në botë të popullsisë që do të emigrojë, Shqipëria është edhe ajo që ka shënuar rritjen më të madhe të këtij treguesi vitet e fundit.

Sipas Gallup, në periudhën 2010-2012 pjesa e shqiptarëve që donin të emigronin ishte vetëm 36 për qind. Ndërsa në 3 vitet pasardhëse pjesa e popullsisë që do të largohet nga Shqipëria gati është dyfishuar, duke arritur në 56%.

Në këtë sondazh është përfshirë edhe Republika e Kosovës, e cila është renditur në pozitën e 24-të, me përqindje të barabarta me Gabonin dhe Maqedoninë.

Sondazhi ka gjetur se nga viti 2010-2012, nga Kosova kanë dëshiruar të largohen 29 për qind e popullatës së moshës madhore, kurse këto shifra janë rritur në periudhën 2013-1016 për 5 për qind, duke çuar kështu shifrat në 34 për qind. Megjithatë, sipas Gallupit, kjo ngritje nuk është shqetësuese.

Dëshira më e madhe për migrim

Përqindja e popullatës totale të moshës së rritur që dëshiron të migrojë

(shifrat e para paraqesin periudhën 2010-2012, ndërsa të dytat 2013-2016, të paraqitura në përqindje)

  1. Sierra Leone 51 62*
  2. Haiti 53 56
  3. Shqipëria 36 56*
  4. Liberia 53 54
  5. (Kinshasa) 37 50*
  6. Republika Dominikane 49 50
  7. Hondurasi 41 48*
  8. Armenia 40 47*
  9. Siria 32 46*
  10. El Salvadori 34 46*
  11. Gana 40 45
  12. Nigeria 41 43
  13. Xhamajka 43 40
  14. (Brazzaville) 38 39
  15. Togo 41 39
  16. Sudani 29 37
  17. Guineja 33 36
  18. Bosnja e Hercegovina 20 36*
  19. Porto Riko N/A 35
  20. Moldavia 32 35
  21. Senegali 31 34
  22. Gaboni 30 34
  23. Maqedonia 35 34
  24. Kosova 29 34
  25. Uganda 37 33
  26. Italia 21 32*
  27. Qipro 25 32*
  28. Guatemala 30 31
  29. Bregu i Fildishtë N/A 30
  30. Lesoto 25 30
  31. Peru 32 30

* Ndryshim i dukshëm

Në pyetjen se cili është destinacioni i tyre i preferuar për migrim, në vendin e parë vazhdon të mbetet SHBA-ja me 21 për qind të të anketuarve që kanë zgjedhur këtë vend, apo përkthyer në shifra 147 milionë banorë.

Gjermania është e dyta në listë, e përcjellë nga Kanadaja dhe Britania e Madhe, ndërsa top-pesëshen e vendeve të preferuara për migrim e përmbyll Franca.