Arbëri

Gabimi në hetim shpëtoi nga burgu personin që dyshohet se solli qindra kg drogë në Kosovë

Një shkelje elementare në hapa gjatë hetimit të një të dyshuari për trafikim të narkotikëve e për krim të organizuar sipas gjykatës ka bërë që i dyshuari të mos mund të dënohet.

Kjo jo për shkak të mungesës së provave, por për shkak që Prokuroria Speciale, sipas pretendimeve të gjykatës, nuk i ka respektuar procedurat ligjore për hetimin e tij.

Gjykata Themelore e Prishtinës javën e kaluar ka njoftuar që A.N. është liruar nga akuza, sepse Prokuroria Speciale i kishte ngritur aktakuzë, por prokurori nuk kishte nxjerrë vendim për hetimin ndaj tij.

“Aktgjykimi refuzues është marrë në harmoni për faktin se akti akuzues dhe procedura penale janë zhvilluar kundër të akuzuarit A.N. për veprën penale për të cilën akuzohet sipas aktit akuzues, pa aktvendim për fillimin e hetimeve dhe pa aktvendim për zgjerimin e hetimeve”, thuhet nga Themelorja.

A.N., shtetas i Shqipërisë, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale ngarkohej se për më pak se 3 javë kishte futur nga Shqipëria në Kosovë te disa të akuzuar të tjerë rreth 250 kilogramë marihuanë.

Të tetë të akuzuarit e tjerë në këtë rast ishin dënuar së bashku me 41 vjet burg. Edhe A.N. ishte dënuar në fillim të vitit të kaluar, por që Apeli e kishte kthyer lëndën vetëm për të në rigjykim.

E një nga pikat se Apeli e kishte prishur dënimin dhe kishte mundësuar rigjykimin e A.N. ishte pikërisht dilema nëse kishte ose jo aktvendim Prokuroria Speciale për hetimin e këtij personi. Kjo thuhet në aktgjykimin e Apelit.

“Kolegji i kësaj gjykate gjen se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.12 e lidhur me nenin 370 par.7 të KPPRK-së, duke gjetur si të bazuar ankesën e mbrojtësit e të akuzuarit A.N.-av.Naim Rudari, dhe sipas detyrës zyrtare, meqenëse gjykata e shkallës së parë në arsyetim nuk ka dhënë arsye të qarta dhe konkrete lidhur me pretendimet e ngritura nga mbrojtja e të akuzuarit nëse në këtë çështje penale është ngritur akti akuzues pa aktvendim për fillimin e hetimit. Në rigjykim është konstatuar që nuk ka pasur fare vendim për fillimin e hetimeve”, thuhet në aktgjykim.

KOHA ka kontaktuar edhe Gjykatën Themelore në Prishtinë e edhe Prokurorinë Speciale.

Gjykata nuk ka kthyer përgjigje që dy ditë, ndërsa kryeprokurori special, Blerim Isufaj, ka thënë se kanë aktvendim për fillimin e hetimeve për këtë të akuzuar dhe, sipas tij, do ta ankimojnë vendimin.

I dyshuari A.N. nuk e kishte për herë të parë përballjen me drejtësinë në Kosovë.

Ai ishte arrestuar në vitin 2019, pikërisht për transportimin e më shumë se 50 kg drogë e për të cilin ishte dënuar me 2 vjet e dhjetë muaj burg.