Arbëri

Fushë-Kosova kritikohet për mungesë të këshillave nëpër fshatra

Komuna e Fushë-Kosovës ka disa vjet që nuk i ka funksionalë këshillat e lagjeve dhe të fshatrave të saj. Edhe pse në mandatin e kaluar ishte marrë një iniciativë për të hartuar rregulloren për këta këshilla, pushteti komunal më vonë e kishte shfuqizuar atë vendim. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe ata të opozitës konsiderojnë se me këtë komunarët janë duke mbajtur distancë në raport me qytetarët

Fushë-Kosovë, 13 mars - Pa këshilla të fshatrave e lagjeve për vite të tëra ka mbetur Komuna e Fushë-Kosovës.

Në mandatin e kaluar kishte dështuar iniciativa për të themeluar grupin punues për hartimin e një rregulloreje për këta këshilla.

Shoqëria civile dhe partitë opozitare kanë thënë se këshillat e lagjeve dhe fshatrave kanë rol domethënës në adresimin e problemeve të qytetarëve.

“Këshillat e fshatrave kanë një rol shumë domethënës në adresimin e problemeve e interesave të qytetarëve të fshatrave e lokacioneve të Komunës së Fushë-Kosovës. Andaj, ne si organizatë e shoqërisë civile kërkojmë nga institucionet lokale të ndërmarrin ndonjë hap në funksionalizim të këtyre këshillave të fshatrave”, ka deklaruar Bekim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YAHR).

Habib Mekolli, këshilltar komunal i LVV-së në Fushë-Kosovë, ka kritikuar pushtetin që tash e shumë vite e mban LDK-ja.

“Fatkeqësisht është kjo metoda, mënyra e qeverisjes së deritashme. Pra, pavarësisht se me Ligjin për vetëqeverisje lokale parimi i subsidiaritetit është një prej themelorëve, pra qeverisja sa më afër qytetarit, këtu ka ekzistuar dhe fatkeqësisht vazhdon të ekzistojë një distancë me qytetarët dhe komuna i merr vendimet thuajse pa u konsultuar fare me qytetarët”, tha ai.

E Mirsad Qyqalla, këshilltar komunal i PDK-së në këtë komunë, tha se dikujt po i pengon që fshatrat të kenë këshillat e tyre.

“Në komunën tonë është pak e paqartë dhe nuk e kemi të qartë kujt i pengon themelimi i këshillit të fshatrave, sepse këshilli i fshatrave vazhdon të ketë funksionin e lehtësimit të problemeve të qytetarëve në raport me komunën dhe besojmë që tash e mbas do të themelohet ky këshill dhe qytetarët të kenë një adresë ku të drejtohen për problemet dhe mungesat e tyre nëpër lagje, fshatra apo të tjera”, tha Qyqalla.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Fushë-Kosovës që nga data 4 mars, por ajo ka munguar.

Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunave me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane është miratuar në vitin 2019. I njëjti i obligon komunat që të nxjerrin rregullore dhe t’i zgjedhin këta këshilla.