Arbëri

Fushatë në SOS-fshatrat për t’u ndihmuar fëmijëve që nuk kanë mbështetje

Për t’u dalë në ndihmë fëmijëve të braktisur dhe atyre që janë në rrezik, organizata SOS fshatrat, ka lansuar fushatën “I see you”.

Qëllimi i kësaj nisme është ndërgjegjësimi i shoqërisë për fëmijët në nevojë. Përgjegjësja për këtë fushatë, Albana Zogu, ka thënë se të gjithë mund të kontribuojnë për këtë kategori të shoqërisë, raporton KTV.

Fondet të cilat do të mblidhen nga kjo fushatë, do të shkojnë për fëmijët të cilët kjo organizatë i përkrah, e numri i të cilëve është mbi 500.

Njohës të kësaj çështjeje thonë se situata e fëmijëve në gjendje rruge nuk është përmirësuar aspak këto vitet e fundit. Vetëm në Komunën e Prizrenit dhe atë të Prishtinës, janë identifikuar 153 raste të fëmijëve në situatë rruge.

Valdrin Dervishaj thotë se qytetarët ende nuk e dinë se sa i rëndësishëm është raportimi i këtyre rasteve.

Përndryshe, kohë më parë është aprovuar Ligji për të drejtat e fëmijëve, i cili do të hyjë në fuqi në qershor të vitit të ardhshëm.