(E përditësuar - 14:40) Hulumtimi i QKSS-së nxori FSK-në institucionin me rritjen më të lartë të besueshmërinë së qytetarëve.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka pasur rritjen më të madhe të besueshmërisë, me 11 për qind, në krahasim me të gjitha institucionet e tjera të sigurisë dhe ato të drejtësisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKëtë e konfirmoi Mentor Vrajolli, hulumtues i lartë i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, gjatë prezantimit të të gjeturave kryesore të hulumtimit “Barometri Kosovar i Sigurisë 2017”.
“Krahasuar me një vit më parë, besimi i qytetarëve për Forcën e Sigurisë së Kosovës rezulton të jetë rritur dukshëm (nga 67% në 2016 në 78% këtë vit). FSK vazhdon ta mbajë primatin, si institucioni më i besueshëm, por rritje ka pasur edhe Policia e Kosovës (nga 56% në 2016 në 61% këtë vit”, tha Vrajolli.
Ndërkaq, i pyetur rreth arsyes se pse ka ndodhur kjo, ai shprehet se kjo lidhet me anketat e mbledhura kur edhe është pritur transformimi i FSK-së.
“Do të potencoja për një rritje kaq të madhe një nga motivet kryesore që ndikojnë është pikërisht dëshira dhe ndoshta humbja e durimit të qytetarëve për të parë që sa më parë që FSK-ja e ka ndryshuar mandatin e saj në forcë mbrojtëse”, u shpreh ai.
Veç tjerash, për dallim nga institucionet e sigurisë, institucionet e drejtësisë (gjykatat dhe prokuroria) dhe institucionet politike (Kuvendi dhe Qeveria), kanë besueshmëri më të ulët.
“Në masë të madhe institucionet e drejtësisë kanë rezultuar si pak të besueshme. Vetëm 29% e qytetarëve i besojnë prokurorisë, ndërsa vetëm 25% gjykatave”, tha Vrajolli.
“Institucionet e sigurisë kanë qenë përsëri të besueshme, ndërsa institucionet qeverisëse – Kuvendi dhe Qeveria kanë pasur më pak besueshmëri”, shtoi ai.
Ndër të tjera, sipas hulumtimit të QKSS-së, rajonet urbane kanë rezultuar me besueshmëri më të ulët në institucionet e drejtësisë në krahasim me rajonet rurale.
QKSS-ja konstaton se qytetarët në përgjithësi ndihen të sigurt, ndërsa si kërcënime kryesore ata i perceptojnë papunësinë, krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Vazhdon rënia e besimit të qytetarëve në institucione
Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se sa i përket besueshmërisë edhe në këtë edicion rezultatet tregojnë se institucionet e sigurisë vazhdohet të kenë besimin më të madh të qytetarëve të Kosovës, para institucioneve tjera dhe gjyqësorit.
Krahasuar me një vit më parë, sipas tij, besimi ndaj FSK-së rezulton se është rritur nga 67 % në 2016 në 78% në 2017. Rritje ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës nga 56%në 61%, transmeton Koha Ditore.
Besueshmëri e lartë e qytetarëve vazhdon të jetë për KFOR-in. Ndërsa niveli i besimit të qytetarëve ndaj gjyqësorit vazhdon të mbetet i ulët. Vetëm 1/4 e të anketuarëve kanë deklaruar se i besojnë gjykatave dhe Prokurorisë.
Besimi vazhdon të jetë i ulët edhe për EULEX-in. Me besim të ulët mbesim edhe institucionet publike, Qeveria, Kuvendi dhe Komunat.