Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” dhe përfaqësuesit e fshatrave të Ferizajt kanë kritikuar Komunën me arsyetimin se nuk po njoftohen qytetarët për të marrë pjesë nëpër debate publike për projekte të caktuara.
Si pasojë e mungesës së qytetarëve shpeshherë po dështojnë debatet publike, ndaj një i tillë ka dështuar pak ditë më parë, i cili kishte si qëllim diskutimin rreth projektit për rregullimin e infrastrukturës për varrezat e reja.
Sipas ligjeve në fuqi, për projekte të tilla duhet të mbahen debate publike me qëllim që qytetarët të japin sugjerime dhe rekomandimet e tyre.
Kenan Gashi, drejtor ekzekutiv në OJQ “Avonet”, ka thënë se Komuna e Ferizajt deri tashti nuk e ka përgatitur ndonjë strategji për t’i ftuar qytetarët në debate publike dhe për takime të tjera lidhur me hartimin e rregulloreve të ndryshme, të cilat duhet patjetër të hedhen në diskutime me qytetarët.
Sipas tij, kjo komunë gjatë periudhës së fundit kohore po i kryen formalisht debatet publike me numër të vogël qytetarësh, por shpeshherë po dështojnë ato si pasojë e mungesës së banorëve.
“Sikur Komuna e Ferizaj ta kishe si prioritet për ta rritur pjesëmarrjen e qytetarëve nëpër debate publike, duhet të bashkëpunojë me një mekanizëm të rëndësishëm dhe të besuar për qytetarët siç janë OJQ-të. Për debate publike, kjo Komunë po bën thirrje vetëm nëpërmjet faqes së Komunës dhe nëpërmjet rrjeteve sociale, të cilat nuk shpërndahen nëpër bashkësitë ku qytetarët jetojnë. Qytetarët janë në një dinamizëm të jetës dhe nuk u premton koha të shikojnë Uebfaqen e Komunës për ta parë një thirrje të tillë, prandaj qytetarët, sidomos përfaqësuesit e fshatrave duhet të njoftohen me ftesa zyrtare për debate publike të cilat janë në interes të qytetarëve”, ka kritikuar Gashi...(Më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)