Arbëri

Francezët kundër zgjerimit, por kjo nuk është temë e rëndësishme për ta

Në studimin e Institutit të Shoqërisë së hapur për politikat evropiane, konkludohet se, ndonëse janë në shumicë të madhe kundër zgjerimit, qytetarët e Francës nuk e shohin këtë proces si të rëndësishëm. Prandaj, ky institut vlerëson se elitat politike të Francës nuk kanë arsye t’i përdorin qëndrimet e qytetarëve si shkas për ta penguar procesin e zgjerimit

Në një studim rreth qëndrimeve të opinionit publik të Francës rreth integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, me titull “BE-ja është duke u zgjeruar e jo Ballkani”, Instituti i shoqërisë së hapur për politikat evropiane analizon qëndrimet e ashpra të Francës në BE rreth procesit të zgjerimit me qëndrimet e opinionit publik në këtë shtet.

Franca, krahas Holandës, tash e disa vite është në krye të shteteve, të cilat më së shumti bëjnë pengesa në Bruksel në procesin e zgjerimit. Raporti në fjalë rikujton se sipas anketave të vitit 2019 vetëm 32 për qind e francezëve ishin në favor të pranimit të shteteve të reja anëtare në BE, ndërsa 58 për qind ishin kundër. Vetëm në Holandë përqindja e atyre që ishin kundër ishte më e madhe se në Francë. Por, ngjashëm sikur në Francë ishin edhe qëndrimet e qytetarëve të Belgjikës, Gjermanisë e Luksemburgut.

Në bazë të hulumtimit të opinionit në Francë, rezultatet e të cilave janë përfshirë në këtë studim, shihet se një shumicë e madhe e francezëve janë kundër zgjerimit dhe më së shumti janë kundër pranimit të Turqisë, Kosovës dhe Shqipërisë në BE.

Studimi thotë se, përkundër faktit se është e qartë se shumica e qytetarëve të Francës janë kundër pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, nuk ka dëshmi se kjo çështje është e një rëndësie të madhe politike në këtë shtet. Shumica e qytetarëve mendojnë se pranimi i atyre shteteve në BE nuk do të kishte ndikim në jetën e tyre të përditshme me përjashtim të pranimit të Turqisë.

Sipas anketave, qytetarët e Francës janë më shumë kundër zgjerimit si tërësi, sesa kundër vendeve të Ballkanit veç e veç.

Por, sikur Norvegjia të donte të hynte në BE kjo do të mbështetej nga shumica e madhe e qytetarëve të Francës. Mbi 82 për qind e tyre do të mbështesnin pranimin e këtij shteti në BE. Duhet rikujtuar se Norvegjia me pasurinë e saj, të matur me Bruto prodhimin vendor për kokë banori është shumë mbi mesataren e BE-së.

Vetëm 22% e francezëve do të mbështeste anëtarësimin e Serbisë, 20 % të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, 15 % Kosovës dhe vetëm 12 % Turqisë.

Kundër pranimit të Turqisë në BE do të ishin 76 % e francezëve, ndërsa kundër Kosovës 65 %. Është interesante se më shumë mbështetje do të kishte për anëtarësimin e Ukrainës në BE, sesa të shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në mesin e gjetjeve të raportit janë edhe ato se, ndryshe nga perceptimi i politikanëve të Francës, çështja e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është diçka e spikatur në opinionin e Francës.

Po ashtu, shihet një dallim shumë i madh në rëndësinë që ka tema e anëtarësimit të mundshëm të Turqisë. Mbi 53 % e francezëve janë shprehur se janë të shqetësuar për efektin negativ të anëtarësimit të Turqisë, ndërsa vetëm 25 % mendojnë të njëjtën për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por, këto qëndrime nuk kanë ndonjë ndikim në preferencat e qytetarëve francezë kur të votojnë në zgjedhjet nacionale. Kjo shkon në kundërshtim me bindjen e disa zyrtarëve të grupimit liberal të presidentit Macron, të cilët nga frika se do të humbnin mbështetje kanë pasur qëndrim kritik ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Një prej gjetjeve më të çuditshme është edhe ajo se 43 % e pjesëmarrësve në anketa kanë ndryshuar qëndrimet e tyre, kur u është treguar në hartë se ku gjendet Ballkani. Raporti konkludon se nuk ka kuptim që të përdoren qëndrimet e opinionit në Francë për të bllokuar kandidatët nga Ballkani dhe se një mbështetje për ta nuk do ta dëmtonte as suksesin e presidentit Emanuel Macron në zgjedhjet presidenciale në vitin 2022. Zgjerimi nuk do të kishte ndikim te votuesit francez në atë rast.

Srdjan Cvijiq, njëri prej autorëve të këtij studimi, ka thënë për “Kohën Ditore” se, bazuar në këto të dhëna ai është i mendimit se “mbështetja eventuale e Francës për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, si dhe të liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk do të kishte ndikim në qëndrimet e francezëve në zgjedhjet në Francë”.