Arbëri

Forcat policore tërhiqen nga Teatri Kombëtar në Tiranë, Basha falënderon aktivistët

Foto: Tch

Forca të shumta policia kishin rrethuar në orët e para të mëngjesit ndërtesën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në fillim në vend ishin të pranishme forca të policisë private dhe më pas atyre iu janë bashkuar dhe efektivët e Policisë së Shtetit.

Me kalimin e orëve është tensionuar dhe situata ku aktivistët e Aleancës për Mbrojtjes e Teatrit, aktorë, qytetarë dhe përfaqësues të opozitës janë përplasur me efektivët e policisë dhe kanë tentuar të çajnë kordonin e tyre.

Protestuesit u përpoqën të hynin brenda në ndërtesë, por u ndalën nga forcat e shumta të policisë.

Në mbështetje të protestuesve dolën edhe disa ish-deputetë të Partisë Demokratike, ndërkohë që u ishte bashkuar edhe kryeopozitari Lulzim Basha.

E orët e gjata të qëndrimit para Teatrit por edhe qëndresa e artistëve dhe qytetarëve kundër prishjes së Teatrit Kombëtar të Tiranës duket se ka bërë që forcat e policisë të tërhiqen në orët e mbrëmjes.

Nuk dihet nëse kjo do të jetë momentale apo ndonjë taktikë për të larguar kështu edhe protestuesit që qëndrojnë tek Teatri që prej mëngjesit të sotëm për të mos lejuar prishjen e tij.

Disa artistë madje janë ngujuar brenda ndërtesës.

Kreu i PD-së i është ribashkuar në orët e mbrëmjes qytetarëve e aktorëve të cilët ndodhen te Teatri Kombëtar duke protestuar kundër shembjes së tij.

“Të dashur artistë, qytetarë, ju falënderoj për shembullin e jashtëzakonshëm, heroik qytetar dhe evropian që i treguam mbarë botës me qëndresën tonë, që me Aleancën për Teatrin, kauzën më fisnike, mirënjohje për sakrificën tuaj. Zonja dhe zotërinj të aleancës, jeni krenaria dhe frymëzimi për opozitën, qytetarët, jeni etaloni i ri i qëndresës së pathyeshme të qytetarëve të bashkuar kundër së keqes”, tha Basha në fjalën e tij.