Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës kërkon dënim maksimal për Stanishiqin

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ka kërkuar dënim maksimal ndaj Goran Stanishiqit, që sot është shpallur fajtor për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare në Kosovë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Stanishiqin me 20 vjet burgim për vrasjen e 13 civilëve në Sllovi të Lipjanit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) e ka monitoruar në mënyrë sistematike gjykimin kundër të akuzuarit Stanishiq. Në bazë të monitorimit të gjykimit, FDHK gjen se gjykimi ka qenë i drejtë dhe janë respektuar të drejtat e palëve në procedurë, përkundër vështirësive në organizimin e gjykimit për shkak të pandemisë COVID-19. Aktgjykimi është shpallur pas mbajtjes së 15 seancave gjyqësore, ku janë dëgjuar 22 dëshmitarë, në mesin e tyre edhe e dëmtuara A1.2 Në lidhje me provat e paraqitura gjatë shqyrtimit kryesorë disa dëshmitarë të prokurorisë e kanë identifikuar praninë e të pandehurit në vendin dhe kohën kur ka ndodhur dëbimi dhe vrasja e civilëve shqiptarë. Mirëpo deklaratat e disa dëshmitarëve okularë të dhëna në misionin e UNMIK-ut, dhe më pas tek Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kanë pasur mospërputhje sa i përket pjesëmarrjes së të pandehurit Stanishiq në vrasjen e civilëve", thuhet në njoftimin e FDHK-së.

Sipas njoftimit, FDHK-ja rezervohet që në këtë moment ta komentojë aktgjykimin dhe lartësinë e dënimit derisa ta merr aktgjykimin në formë të shkruar së bashku me arsyetimin e këtij vendimi.

"Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues nuk ka dhënë kurrfarë arsyetimi lidhur me vendimin e shpallur. Prandaj ka mbetur e panjohur se në cilat prova është mbështetur trupi gjykues kur e ka marrë vendimin mbi dënimin e të pandehurit. Mungesa e arsyetimit të vendimit mbi dënimin është në kundërshtim me nenin 366, paragraf 2 të KPPRK-së. Ky nen parasheh që pas leximit publik të dispozitivit të aktgjykimit duhet të kumtohet shkurtimisht edhe arsyetimi i aktgjykimit, përkatësisht provat në të cilat është bazuar trupi gjykues. Po ashtu, është e domosdoshme që me këtë rast, gjykata të jep edhe arsyetim lidhur me rrethanat rënduese apo lehtësuese, të cilat kanë ndikuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet me burgim maksimal”, thuhet tutje në njoftimin e FDHK-së.