Fondi Monetar Ndërkombëtar është i pajtimit që të ketë rritje të pagave për shërbyesit civilë, por që kjo të mos e tejkalojë rritjen ekonomike, e cila viteve të kaluara ishte shkelur për shkak të apetiteve politike.
Zyrtarët e FMN-së kanë bërë të ditur se parashikimet e tyre për rritjen ekonomike, janë mes 3,5-4 për qind, raporton KTV.
Shefi në largim i këtij misioni, ka bërë të ditur se rritja ekonomike ka qenë shumë e mirë në 3 muajt e fundit, ndërsa për buxhetin e vitit të ardhshëm ka sqaruar se kanë mbetur edhe disa hollësi të zgjidhen.
“Jemi pajtuar për rëndësinë e respektimit të rregullës fiskale dhe limitit të deficitit. Stabiliteti makro-fiskal që është me rëndësi për çdo shtet, është posaçërisht i rëndësishëm për Kosovën. Ne jemi, po ashtu, të bindur se deficiti do të përmbahet brenda rregullit vitin e ardhshëm. Kemi rënë dakord, po ashtu, që të frenohen shpenzimet dhe të ruhet Buxheti për shpenzimet prioritare për arsim, shëndetësi e infrastrukturë”, ka thënë Jacques Miniane, shef në largim i misionit të FMN-së në Kosovë.
Lidhur me marrëveshjen Stand By4, ai ka thënë se e njëjta nuk është bërë për shkak të situatës politike, por nuk ka pranuar ta quajë të dështuar.
Zyrtarët e FMN-së kanë bërë të ditur se bazuar në një raport rreth performancës së sektorit bankar në Ballkan, Kosova qëndron më së miri.
Edhe
FMN-ja për Kosovën: Ngadalësim i ekonomisë, rritje e inflacionit dhe rreziqe nga pasiguria politike
Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka folur për rritjen e pagave, duke theksuar se rritje mund të ketë vetëm sipas performancës së shërbyesve civil. Ai është i bindur se nuk do të kenë probleme me pensionet e veteranëve.
Hamza ka bërë të ditur se në javën e fundit të tetorit do të dorëzohet në Qeveri për miratim buxheti i 2018-ës, ndërsa sa i përket vonesave, ka thënë se është për shkak të planifikimit të Kuvendit.