Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fillon vaksinimi i personelit të shërbimit mjekësor të FSK-së

Sot ka filluar vaksinimi kundër COVID-19 ndaj personit të shërbimit mjekësor të FSK-së, përfshirë mjekët, infermierët si dhe stafin administrativ dhe mbështetës të saj.

Sipas njoftimit për media, në Qendrën e improvizuar të vaksinimit në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, për të përcjellë nga afër realizimin e vaksinimit, sot ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Nga ana e tij, Mehaj ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për nivelin e lartë të organizimit të fushatës si dhe ka shprehur kënaqësinë për fillimin e vaksinimit me prioritet të personelit të shërbimit mjekësor të FSK-së. Kjo sipas tij, duke pasur parasysh specifikat e angazhimit të tyre në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive profesionale brenda FSK-së si dhe përballjen direkte me sfidat e pandemisë gjatë aktiviteteve dhe operacioneve në mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë në çdo kohë dhe situatë.

Procesi i vaksinimit të personelit mjekësor të FSK-së do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme krahas vaksinimit të personelit mjekësor të sistemit shëndetësor të vendit.