Arbëri

Fetahu: Projektligji për Byronë e cenon të drejtën në pronë

Faton Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë e cenon të drejtën në pronë, derisa është deklaruar rreth asaj se pse kjo parti e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese projektligjin për Byronë.

I ftuar të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Fetahu ka thënë se askush nuk mund të privohet nga prona në mënyrë arbitrare.

“Ligji e cenon të drejtën në pronë sepse askush nuk mund të privohet nga prona në mënyrë arbitrare siç është në rastin konkret. E drejta në pronë mund të kufizohet me ligj. Le ta bëjnë këtë kufizim me ligj”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se mendimi i Grupit Parlamentar të PDK-së është se ky projektligj që sipas tij ka marrë formën e ligjit, konsiderohet joserioz dhe një nismë e tillë do të duhej të konfirmohej si jofunksionale.

Sipas tij, një sistem të tillë nuk e ka asnjë vend i Bashkimit Evropian.

Fetahu ka shtuar se vërejtjen e Partisë Demokratike të Kosovës kanë qenë të natyrës kushtetuese pa debate politike.

“Ky ligj ka probleme më të mëdha sesa këto që i theksova. Bie fjala të çështja e zgjedhjes së drejtorit, është rregulluar se i njëjti do t’i nënshtrohet procedurës së rekrutimit nga komisioni mbikëqyrës i Byrosë dhe këtë procedurë do ta fillojë fillimisht komisioni duke shpallur procedurën dhe duke ia dërguar dy emra Kuvendit. Nëse ky i fundit dështon dy herë radhazi ta zgjedhë drejtorin, në mënyrë absurde është rregulluar me ligjin e kontestuar që kjo kompetencë për zgjedhje dhe emërim të drejtorit të Byrosë në mënyrë automatike do të kalojë te komisioni. Është një rregullim i çuditshëm ligjor që në pikëpamjen time qartazi është lënë me qëllim që ky ligj të mos kalojë. Si mos të besojmë që një ligj tillë qartazi është projektuar për të dështuar nga ky pushtet kur në dispozitat kalimtare të tij shprehimisht ka paraparë që deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe funksionalizimit të Byrosë, kompetencat e Byrosë t’i ushtrojë Agjencia Kundër Korrupsion”, ka shtuar ai.

Fetahu ka kritikuar edhe lëvizjen e deputetes Doarca Kica-Xhelili nga partia e VV-së në LDK. Ai ka thënë se kundërshtia e saj ndaj Ligjit për Byronë e më pas votimi për të, është jokorrekte.

“Ta kritikosh në substancë atë siç bëri një GP, madje të ndërrosh parti politike në emër të Ligjit për Byronë që në pikëpamjet tua i cenon të drjetat kushtetuese të qytetarëve, dhe në fund ta votosh vetë dhe ta vësh në lajthitje tërë GP ka qenë jokorrekte”, ka thënë ai referuar deputetes Doarsa Kica-Xhelili.