Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fetahu: Momenti i duhur që Kosova të aplikonte për anëtarësim në BE

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka thënë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është bërë në momentin e duhur.

Fetahu ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se lufta në Ukrainë e ka dinamizuar procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe se Kosova bëri mirë që e shfrytëzoi këtë moment.

Ai ka shtuar se megjithatë është e vështirë të vlerësohet se kur është koha më e duhur për aplikim.

“Nuk ka një moment gjithmonë të duhur për aplikim në BE-ja sepse gjashtë vite kanë kaluar që nga hyrja në fuqi e MSA-së. E kemi një fqinj verior që është i lidhur me Rusinë në aspektin gjeopolitik. Aplikimin do ta vlerësoja edhe një shprehje e një drejtimi gjeopolitik të Kosovës. E vështirë ta matim se kur është momenti i duhur. Kriza e fundit në Ukrainë e ka dinamizuar procesin e integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, një momentum të cilin Kosova duhet ta shfrytëzojë”, ka thënë Fetahu.

Sipas tij, edhe nëse aplikimi nuk futet në agjendë këtë vit, kjo nuk do të ishte me pasoja për Kosovën.

Fetahu ka thënë se aktualisht kapacitetet ekzistojnë që Kosovës t’i pranohet aplikimi, duke shtuar se vendi tashmë ka krijuar një lloj familjarizimi në raport me kërkesat e BE-së.

“Kapacitetet janë në kuptimin që Kosova ka arritur një lloj maturiteti në kuptimin e kërkesave që vijnë nga BE-ja po ashtu edhe kritereve që kanë qenë për vizat. E kemi një lloj familjarizimi të Kosovës në raport me kërkesat që vijnë nga BE-ja. Po ashtu Kosova, në momentin kur vendet tjera kanë aplikuar nuk kanë qenë aq më mirë në kuptimin e përmbushjes së reformave”, ka thënë Fetahu.

Edhe Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën Arbëri Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën

Ai ka shtuar se tani pas aplikimit, Kosova duhet të fokusohet në dinamizmin e punëve të brendshme të institucioneve.

Kryeministri Albin Kurti ka dorëzuar të enjten zyrtarisht në Pragë të Çekisë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.