Arbëri

Fetahu: Fondi Sovran krijon ndërmarrje që do ta zhbëjë ekzistencën e AKP-së, KEK-ut, Postës e Telekomit

Avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, e ka cilësuar si të shkruar dobët Ligjin për Fondin Sovran, i cili është hartuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Fetahu ka thënë se ky ligj krijon një ndërmarrje publike që do të marrë në pronësi dhe t’i zhbëjë së ekzistuari Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Korporatën Energjetike të Kosovës, Telekomin, Postin e Infrakosin.

Sipas tij, niveli i njerëzve që kanë marrë pjesë në këtë proces është joprofesional.

“Ligji për Fondin Sovran, i shkruar keq e dobët, asnjë student i vitit të parë në drejtësi nuk do ta bënte në një nivel të tillë. Ligj i paparë, i jashtëzakonshëm në pikëpamje të dobësisë së tij. Kjo flet për nivelin joprofesional të njerëzve që kanë marrë pjesë në këtë proces kaq të rëndësishëm. Ky ligj e krijon një ndërmarrje publike, një superndërmarrje që do ta ketë statusin juridik si shoqëri aksionare dhe e cila do ta marrë në pronësi, për t’i zhbërë së ekzistuari AKP-në, KEK-un, Infraksoin, Telekomin e Postën. Këto janë ndërmarrjet fillestare në të cilat do ta marrë pronësinë miliardëshe automatike. Një shoqëri aksionare do t’i menaxhojë disa shoqëri aksionare pasi ligji e thotë se këto nuk do të shpërbëhen”, ka thënë ai.

Fetahu ka shprehur bindjen e tij se ky ligj nuk do të kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese.

Lidhur me njoftimin e së martës të Avokatit të Popullit që do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Pagat, ai ka thënë se ka qenë i pritshëm, megjithatë ka munguar vullneti për dërgimin e këtij ligji në Kushtetuese.

“Ligji dje u rrëzua pjesërisht për faktin se Gjykata i qëndroi besnike së pari aktgjykimit të vet të nxjerrë për çështjen e njëjtë, për Ligjin e Pagave të vitit 2019. Kishte obligim parësor që të sigurohet nëse aktgjykimi i saj i parë është adresuar me Ligjin e ri të Pagave, gjë e cila nuk kishte ndodhur dhe e dyta, e dërgoi Avokati i Popullit, jo që deshi ta dërgonte sepse vullneti i mungoi. Kërkesa e Avokatit të Popullit ka lënë shumë për të dëshiruar në pikëpamje të plotësimit të kushteve të pranueshmërisë. Ishin komentet e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe grupe tjera që janë përfshirë në proces që e vunë në pah rëndësinë e çështjeve kushtetuese që do të duhej t’i merrte për bazë Kushtetuesja”, ka thënë ai.