Hapat e vetëm që dëgjohen nëpër korridoret e ftohta dhe të zbrazura të Klinikës Infektive janë ata mjekëve dhe infermierëve të cilët po kryenin vizitën rutinore tek pacientët e shtrirë këtu.
Në natën e fundit të vitit dhjetëra pacientë të infektuar nga Covid-19 ndërrimin e moteve do ta kalojnë të shtrirë pa praninë e familjarëve.
E mjekët po kujdesen që ata të jenë në humor.
“Ne do të jemi tërë natën bashkë do ta kalojmë vitin e ri këtu...”, i thotë doktoresha Lindita Ajazaj-Berisha një pacienti.
Por dikush tjetër po kërkon që këtë natë ta ketë të paktën një familjar afër vetes.
Edhe
Prokuroria nis hetimet pas dyshimit për helmim me ushqim të 70 qytetarëve
“Dikush duhet me ardhë” thotë pacienti teksa doktoresha i përgjigjet se “jo, jo - unë do të jem këtu me ty, bashkë kemi me kalu Vitin e Ri”.
Kishte të tillë që prisnin që të liroheshin po këtë natë.
Pacientët e tjerë, ku shumica prej tyre janë me oksigjenoterapi, thonë se të rëndësishme e kanë që ta kalojnë sa më shpejt këtë sëmundje.
Natën e fundit të vitit Klinika Infektive e përmbyll me 78 pacientë të shtrirë ku rreth 60 për qind e tyre janë duke u trajtuar me oksigjeno terapi. E për t’u kujdesur për gjendjen e tyre shëndetësor në këtë natë do të kujdestarojnë drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Ajazaj-Berisha së bashku me një pjesë të stafit shëndetësor.
“Pas vizitës 11 pacientë janë liruar ndërsa nga pacientët që janë të shtrirë 60 për qind e tyre janë me oksigjenoterapi dhe tre i kemi në mjekimin inteziv me respirator me CPAP. Kemi ende pacientë që janë në gjendej të rëndë por që janë duke u menaxhuar nëpër reparte”, ka thënë ajo.
Edhe
Për tri ditë, 70 persona kërkuan ndihmë në QKUK me simptoma të helmimit nga ushqimi
Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 184 raste pozitive, ndërsa 420 të tjerë janë shëruar.
Gjithashtu 3 pacientë kanë vdekur nga Covid-19, duke e çuar në 1 mijë e 335 numrin e të vdekurve.
Kosova e përmbyll këtë vit me rreth 41 mijë persona të infektuar dhe mbi 8 mijë raste aktive.