Arbëri

Fermerët në Divjakë shalqirin e shartojnë me kungull për t’u pjekur më shpejt

Fermerët në Divjakë kanë kohë që nuk mbjellin më fara apo fidanë autoktonë të shalqirit. Por të gjitha serat janë mbjellë me shartime. Fermerët tregojnë pse ata prodhojnë shalqi të shartuar me kungull.

Shijes së shalqirit nga fidani autokton i thoni lamtumirë. Ky frut më tepër i ngjan një kungulli. Në Divjakë shalqiri është shartuar jo vetëm me kungull, por edhe me Poç, një derivat i së njëjtës familje.

Në formë tynelësh, serrat diellore janë mbjellë që prej muajit dhjetor me këto fidanë dhe prodhimi i parë del në fillim të majit. Një teknologji e tillë, sipas prodhuesve kryhet për të luftuar sëmundjet tek bima, dhe për të rritur rendimentin.

“Bëhet për të luftuar sëmundjet dhe jep prodhim më shumë, është dhe rezistent ndaj mikroorganizmave”, thotë një nga fermerët e kësaj zone.

“Ky del në 20-25 maj, sepse është vetëm me pleh organik, këtu pothuajse të gjithë i hedhin shalqirit pleh organik sepse e bën bimën më të bukur dhe më të fuqishme, gjithashtu nuk shpenzon shumë te kimikatet”, shprehet një tjetër.

Përpara viteve 90- të, në treg shalqirin e gjeje në muajin korrik. Sot tregjet mbushen që në 15 maj. Për specialistët e bujqësisë në Lushnje teknologjia shikohet avantazh për rendimentin.

Pra, nëse konsumojmë shalqinj jo shumë të ëmbël dhe me ngjyrën e kuqe të fortë, kjo nuk do të thotë se, është një produkt i rritur me stimulantë, por vjen i tillë nga shartimi.

“Një shalqi i pashartuar kërkon 5 ose 6 ndërhyrje me spërkatje, për dëmtuesit dhe për sëmundjet, ndërsa një shalqi që kultivohet me shartim, kërkon maksimumi dy ndërhyrje. Nuk kërkon ndërhyrje me pesticide për sëmundjet e rrënjëve, dhe siguron rendiment të bollshëm”, ka treguar Specialisti i Bujqësisë në QTTB Lushnje.

1070 ha tokë në Divjakë është mbjellë në 2019 vetëm me fidanë të shartuar. Në këtë mënyrë jo vetëm tregu vendas mbushet shpejt por edhe ai në Ballkan përmes eksportit./abcnews