Arbëri

Fëmijët me diabet i nënshtrohen edhe bullizimit në shkolla

Në Klinikën e Pediatrisë sivjet kanë marrë trajtim 74 fëmijë të prekur nga diabeti. Sivjet, 41 raste u diagnostikuan për herë të parë. Matja e shpeshtë e nivelit të sheqerit e marrja e insulinave tri herë gjatë ditës u identifikuan nga prindërit si sfida të mëdha sidomos te fëmijët që janë mosha shkollore. E një nga brengat që u shpreh, është edhe bullizimi që i nënshtrohen nxënësit me këtë sëmundje.

Nëna e një djali me diabet përballet me shumë sfida në menaxhimin e sëmundjes së diagnostikuar para shtatë vjetësh.

Asaj i duhet të kujdeset për ushqimin, matjen e sheqerit dhe për dhënien e terapisë ditore.

“Djali ka qenë moshën 4-vjeçare kur iu ka lajmëru diabeti. Për ne ka qenë një bombë”, thotë ajo.

“Fëmija merr tri herë në dite insulinën: në mëngjes, në drekë dhe në darkë. Edhe pesë herë në ditë ia mati glikeminë, me pa qysh i ka vlerat, derisa s’po janë mundësitë për censorë”.

Ajo tregon se për fëmijën 11-vjeçar duhet treguar kujdes i shtuar edhe në shkollë, meqë gjatë kësaj periudhe ka raste kur përballet me rënie të vlerave të sheqerit.

E për të menaxhuar situatën, ajo kërkon nga institucionet sigurimin e një aparati që do të lehtësonte këtë proces.

“Kisha thënë që shteti, ministria të ketë pak më shumë kujdes, për shkak që afër të kenë një censor fëmija, e të mos shpohet. Pesë herë ka nevojë, gjashtë me u shpu. Sigurimi i censorëve është më e lehtë si për prindin, si për fëmijën. Ne nuk kemi mundësi me ia marrë”, thotë ajo.

Në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare sivjet kanë marrë trajtim 74 raste me diabet, prej tyre 41 raste të reja.

Doktoresha Atifete Ramosa-Morina, thotë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sivjet është shënuar rritje e rasteve të fëmijëve të diagnostikuar më diabet. Ajo tregon se moshat 6-8 vjeçe janë më të prekura.

“Nëse e shikojmë që në vitin 2023 kemi pasur një numër prej 37 rasteve të reja, domethënë në këtë dhjetëmujor kemi për një vlerë më të lartë për rastet e reja”, ka thënë Ramosa-Morina.
Ajo thekson se për fëmijët është sfiduese marrja e insulinës gjatë qëndrimit në shkollë. E si pasojë e mosmenaxhimit të mirë, fëmijët shpesh detyrohen të shtrihen në spital.

“Normalisht që fëmijët që janë në moshën shkollore, një sfidë në vete është marrja e insulinës në periudhat gjatë qëndrimit në shkollë. Në gjithmonë i inkurajojmë prindërit që rregullimin e marrjes së insulinës ta koordinojnë me periudhën e mësimit, në mënyrë që së paku për racionet e ushqimit të mëngjesit t'i marrë në shtëpi dhe pastaj të vazhdojë në shkollë ose nëse është në drekë ta marrë racionin dhe insulinën para se të shkoj në shkollë, por gjithmonë duhet të informohen edhe arsimtarët ose kujdestarët e klasës dhe të dijë se si ta menaxhojë rastin, në qoftë se vjen deri te paraqitja e hipoglikemisë”, ka thënë Ramosa-Morina. “Nga këto 74 rastet e trajtuara gjatë këtij viti, domethënë shumica e tyre kanë qenë fëmijë të cilët veç janë të diagnostikuar më herët dhe për shkak të çrregullimeve, mos mbajtjes së vlerave të mira të glikemisë kanë pasur nevojë edhe për dy apo tre hospitalizime brenda vitit.

Në Shoqatën e të prekurve me diabet në Pejë thonë se numërojnë diku 80 fëmijë me diabet. Kryetari Idriz Ethemi, thotë se ka raste kur fëmijët edhe bullizohen.

“Problemet janë shumë të mëdha. Faktikisht, fëmija nuk di me e shprehë a e ka nivelin e glikemisë apo sheqerin lartë apo i ka rënë. Kemi raste që, nëse iu bie ose iu ngritët sheqeri në shkollë, kemi pasur raste të bullizimit që fëmija e ka ngacmuar fëmijën ose e ka bullizuar fëmijën që i ka thanë që është me diabet. Pasandej ai fëmijë nuk ka dashtë me shku në shkollë”, thotë Ethemi.

E doktoresha Ramosa-Morina, bën thirrje që fëmijët me diabet të mbështeten nga tërë shoqëria.

“Diabeti është sëmundje kronike, mirëpo është sëmundje që fatmirësisht ka trajtim. Këta fëmijë mund të bëjnë një jetë normale dhe duhet të bëjnë një jetë normale, mund të arrijnë çdo gjë që arrin çdo fëmijë tjetër vetëm se duhet të përkrahen dhe të kenë një rregull në disiplinë në marrje të rregullt të insulinës, në mbajtje të aktivitetit fizik të rregullt edhe marrjen e racioneve ushqimore të rregullta. Të gjithë prindërit, e gjithë shoqëria, fëmijët, arsimtarët duhet t'i përkrahin. Nuk duhet domethënë të shikohen si fëmijë të sëmurë, por t'ju mundësohet një ambient i përshtatshëm, qoftë edhe për marrjen e terapisë”, ka thënë Ramosa-Morina.

Në Kosovë nuk ka regjistër nacional për sëmundjen e sheqerit.

KOHA ka kërkuar nga institucionet të dhëna rreth numri të saktë të fëmijëve të prekur me diabet. As në Ministrinë e Shëndetësisë e as në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik nuk kanë ofruar shifra për sivjet e as për vitin 2023.

Bazuar në të dhënat e ofruara nga IKSHPK-ja, gjatë periudhës janar-dhjetor 2022 janë raportuar gjithsej 87 raste të fëmijëve të diagnostikuar me diabet.