Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fëmijët e mërgimtarëve së pari flasin shqip

Kosovarët nuk e harrojnë vendin prej nga kanë ardhur edhe nëse ata e kanë krijuar jetën e tyre larg vendlindjes, kështu tha çifti Arben dhe Eneida Lahu në podcastin e rradhës me Paulina Nushi Muhaxhirin në Glam Radio dhe KTV.

"Ne jetojmë në Zvicër tash e disa dekada por e vizitojmë Kosovën minimum tre apo katër herë në vit. Kur u lejuam të lëvizim pas pandemisë i pyeta fëmijët, do shkojmë në Kosovë apo diku në pushime, vetëm tre sekonda kanë qenë në pyetje kur përgjigjja ka qenë në Kosovë" - thotë Arben Lahu.

Katër fëmijët e çiftit Lahu kanë lindur dhe po rriten në Zvicër por ata flasin shqip.

Çifti Lahu thonë se kanë punuar shumë për të investuar edhe në Kosovë dhe se kur vijnë në vendlindje ndjehen taman në shtëpi.

E kur nuk janë në Kosovë, 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës e festojnë kudo që janë.

"Për 17 shkurt ishim në skijim në Alpet e Zvicres dhe fëmijët tonë skijuan me bluzat me flamur të Kosovës duke treguar para gjithë të pranishmëve nga vende të ndryshme se Kosova ka festë, ishte e mrekullueshme" tha Enedia Lahu.

Ndërsa Arbeni thotë se në Zvicër ata bëjnë sytë katër për të gjetur prodhime vendore të cilat i blejnë vazhdimisht.

Ai thotë se shqiptarët në Zvicër tashmë kanë krijuar emër të mirë.

"Shqiptarët janë të vlefshëm për zvicëranët. Edhe ministri i sportit dul e tha sikur të mos jenë shqiptarët ne nuk do ishim kualifikuar në futboll"

Më tutje çifti nga Zvicra thonë se diaspora nuk është pjesë e ndarë nga Kosova, ata jetojnë jashtë vendit por kontribojnë shumë për familjen dhe atdheun.

Artikuj të ngjashëm