*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani!, përkrahur nga WB Media for Change
“Ne besojmë se gratë janë të nënpërfaqësuara dhe institucionet duhet të sigurojnë një fushë loje të barabartë për të gjithë, me fokus në inkurajimin e më shumë grave për të aplikuar”, ka thënë shefja e programeve në Ambasadën britanike, Sophie Wright. Ajo ka theksuar se gjatë përvojës tetëvjeçare është konstatuar që numri i grave aplikuese për pozita të larta është më i ulët se ai i burrave
Lendita Berisha është një nga dy kandidatet gra që aplikuan për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil. Ani se hynë në listë të ngushtë, asnjëra prej tyre nuk u përzgjodh meqë Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Autoriteti i Komisioni Shtetëror për Pranim përzgjodhi tre kandidatë burra, që, sipas projektit britanik “Corrwatch”, nuk i plotësuan kriteret.
Berisha e cila është drejtoreshë e Departamentit të Sigurisë dhe Cilësisë në AAC, ndonëse shprehet e dekurajuar me procesin, thekson se nuk do të dorëzohet. Ajo thotë se ka paraqitur ankesë në Komisionin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.
“Konsideroj se procesi i rekrutimit është zhvilluar me pikënisjen që ka shkaktuar padrejtësi dhe diskriminim profesional mbi të gjitha, para se të përmendim diskriminimin gjinor që ka mundur të jetë shkaktuar. Dy gra, drejtoresha departamentesh në AAC, me kualifikime post-diplomatike në fushën e aviacionit dhe me përvojë mbi 20-vjeçare kanë qenë pjesë e kësaj kandidature deri në përfundim të procesit, natyrisht, duke mos iu dhënë mundësia për të qenë opsion në listën finale”, ka thënë Berisha.
Me diskriminim në ambient pune, ajo thotë se u përball edhe më herët.
“Fenomenin e diskriminimit gjinor nuk e kam të panjohur, pasi që në të kaluarën jo shumë të largët kam qenë pjesë e një grupi të grave, profesioniste në aviacionin civil, që e kanë ngritur dhe luftuar çështjen e diskriminimit gjinor të ushtruar në ambient pune nga një ish-drejtor i AAC-së, i shkarkuar tashmë nga Qeveria”, ka thënë Berisha.
Instituti Gap aktualisht monitoron në mënyrë aktive pesë borde të ndërmarrjeve publike, në nivel qendror dhe lokal.
Bazuar në monitorim, hulumtuesi Besart Zhuja thotë se është evidentuar mungesë e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore.
“Në shumicën absolute të bordeve ka më shumë burra sesa gra, ose, nëse marrim një shumë të përgjithshme, burrat janë të favorizuar 55 kundrejt 45 për qind në strukturën e bordeve. Megjithatë, kur flasim te aspekti menaxherial, punët qëndrojnë më keq, d.m.th. 70 për qind kundrejt 30 për qind janë pra burrat kundrejt grave në pozita menaxheriale të ndërmarrjeve publike”, ka thënë Zhuja.
Në Rrjetin e Grave të Kosovës, thonë se është shqetësuese numri i ulët i grave në pozita udhëheqëse e menaxheriale.
Adelina Berisha, menaxhere e Programit për Adresimin e Dhunës në Bazë Gjinore, thotë se sa i përket përfaqësimit gjinor, institucionet kanë shënuar regres edhe në legjislacion, duke përmendur si shembull ligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media, i cili ka shuar pozitat që ishin të përcaktuara për gra.
“Në ligj kanë qenë të siguruara dy pozita për gra, ndërsa në ligjin e ri është parë që këto pozita për gra janë larguar dhe kjo normal që është dekurajuese, jo vetëm te Ligji për Komisionin e pavarur të mediave por edhe agjenci të tjera, borde të tjera të cilat nuk e kanë përbërjen 50/50 qysh e kërkon edhe Ligji për Barazi Gjinore... Nuk po e respektojnë ligjin, por në anën tjetër edhe po i dekurajojnë gratë përmes këtyre shtypjeve, sepse kjo është një formë e shtypjes, një formë e diskriminimit që ato të mos jenë të guximshme dhe të mos jenë të zëshme që të kërkojnë vende dhe pozitat e tyre aty ku ju takojnë”, ka thënë Berisha.
Nga viti 2016, Ambasada britanike i mbështeti 100 procese të rekrutimit në nivel qendror, agjenci të pavarura e ndërmarrje publike. Shefja e programeve, Sophie Wright, thekson se gjatë përvojës tetëvjeçare është konstatuar që numri i grave aplikuese për pozita të larta është më i ulët se ai i burrave.
“Siç qëndrojnë gjërat, është vështirë të thuhet se gratë kanë shanse të barabarta për t’u emëruar. Kjo për shkak të shumë faktorëve, si nënpërfaqësimi i grave në organet vendimmarrëse; mosplotësimi i kritereve për të pasur përvojë në drejtimin e pozitave të larta, ngase këto pozita për shumë vjet janë zënë nga burrat; dhe duke mos marrë mbështetje nga menaxherët e tyre... Institucionet duhet të vazhdojnë t’i praktikojnë proceset e rekrutimit, bazuar në merita dhe t’i inkurajojnë gratë të aplikojnë”, ka thënë Wright.
Wright ka thënë se viteve të fundit kanë vërejtur tendencën në rënie të personave që aplikuan në poste të larta, andaj u ka bërë thirrje institucioneve të ofrojnë garë të barabartë, tërheqëse dhe inkurajues për të gjithë.
“Gratë që aplikuan dhe arritën në fazën e intervistës kanë dalë më mirë në procesin e intervistimit sesa burrat, në përqindje. Ne besojmë se gratë janë të nënpërfaqësuara dhe institucionet duhet të sigurojnë një fushë loje të barabartë për të gjithë, me fokus në inkurajimin e më shumë grave për të aplikuar”, ka thënë shefja e programeve në Ambasadën britanike.
Ajo ka përmendur disa raste kur institucionet janë udhëhequr nga gratë duke thënë se ato kanë përmirësuar performancën e institucionit.
“Kemi disa shembuj shumë të mirë të grave që drejtojnë me sukses institucione shumë të rëndësishme. Zyra Kombëtare e Auditimit drejtohet nga një grua që e rekomandoi projekti dhe ajo po bën një punë të shkëlqyer. Komisioneri i Agjencisë për Informacionin dhe Privatësinë drejtohet gjithashtu nga një grua që ne e rekomanduam përmes projektit; Agjencia për Barazi Gjinore është një institucion tjetër i drejtuar nga një grua; dhe ka edhe sekretare të Përgjithshme femra që po bëjnë një punë të shkëlqyer. Të gjitha këto drejtuese femra i kanë çuar institucionet e tyre në një nivel të ri duke rritur transparencën, përgjegjshmërinë dhe kanë përmirësuar performancën institucionale”, ka thënë Wright.
Përveç rastit të Lendita Berishës, KOHA ka provuar të sjellë shembuj të diskriminimit edhe në institucione, borde e ndërmarrje të tjera, si nga niveli lokal apo ai qendror. Gratë që janë kontaktuar kanë rrëfyer padrejtësitë që u janë bërë nëpër konkurse pavarësisht përgatitjes profesionale e poentimit që kishin marrë në proceset e rekrutimit. Porse asnjëra prej tyre nuk ka pranuar që t’i tregojë ato publikisht. Një nga arsyet, edhe frika nga hakmarrja e institucioneve.
Lidhur me përfaqësimin gjinor dhe diskriminimin e grave në konkurse publike, KOHA ka dërguar pyetje në Qeveri, por nuk kanë kthyer përgjigje.