Kanë bërë gati karotat dhe lakrat dhe po i kalojnë në grirëse.
Përderisa përgatitet sallata, në anën tjetër, kuzhinierët po përkujdesen për gjellët që tashmë i kanë vendosur në kazan.
Është kjo puna që bëjnë çdo ditë punëtorët e Kuzhinës Qendrore, ku përgatiten 5000 shujta në bazë ditore.
Patate me mish të bardhë për fëmijët e kopshteve publike dhe atyre me bazë në komunitet, është menyja e çdo të premte.
Paralelisht, ata përgatitin 500 shujta për personat me raste sociale. Menyja e kësaj dite për ta është fasule dhe mish.
“Për të rritur vaj krem xhemi dhe qumësht, për bebe ka pasur biskota me qumësht, për drekë kemi patate me mish të bluar dhe sallatë me karotë. Për rastet sociale kemi fasule me mish dhe sallatë. 5 mijë shujta për paradite dhe pasdite”, thotë kryekuzhinierja, Fatime Zogiani.
Por cila është puna e parë?
“Si të vijmë gardërobën e kemi poshtë, i pastrojmë duart dhe fillojmë punën. Mbushen ventilet me ujë i lëshojmë kazanët dhe fillojmë përgatitjet. Fillojmë me përgatitë kaçamakun, pasi i përgatisim i pastrojmë kazanët, dhe pastaj e vendosim orizin”, tha Zogiani.
Ajo tregon edhe listën e ushqimeve për menytë e javës.
“Të hënën kornfleksa dhe qumësht, për bebe grizë me molla. Për drekë fasule me sallatë. Të martën, çaj, vezë të ziera, vaj krem, për bebe frutolinë. Për drekë ka gullash për të rritur dhe sallatë, për bebe pire me bizele. Të mërkurën kaçamak dhe nga një jogurt të kosit, për drekë oriz me sallatë. Të enjten supë me perime, për drekë makarona bolonese dhe një të enjte tjetër makarona me djathë. Për rastet sociale të hënën fasule, të martën ka gullash dhe sallatë, të mërkurën oriz me mish të bardhë, të enjten lakra dhe të premten fasule. Të shtunën oriz me mish të bluar, të dielën makarona”, tha ajo. “Unë e porosit mallin, furnitorët ma sjellin, e kontrolloj nëse është në rregull e bëj pranimin nëse ndodh që janë pa afat, e kthej prapa.”
Sapo të përgatitet ushqimi niset për në destinacionet e caktuara.
Rreth orës 16:00 arrin çdo ditë ushqimi në Qendrën e të moshuarve në “Tophane”.
Me enë me vete, shumë qytetarë po presin në radhë të marrin ushqim edhe për familjarët e tyre që janë në shtëpi.
“Orari i punës është 8-4, vijnë gjatë ditës bëjnë aktivitetet e veta, pinë çaj. Prej 4 e 15 vijnë shujtat. Paradite vijnë pensionistët, pasdites janë të mirëqenies social, sepse nuk kemi një listë se kujt t’i japim e kujt jo”, tregon administratorja Besa Sopjani.
Në këto raste, Sopjani thotë se nganjëherë ato nuk po mjaftojnë.
Por, drejtoresha për mirëqenie sociale, Adelinë Sahiti, thotë se edhe për një kohë nuk do bëhet ndonjë listë për shkak të krizës ekonomike që po mbizotëron në mbarë botën.
“Jemi të informuar se shujtat ditore, meqenëse nuk ka një listë dhe nuk po e bëjmë edhe për një kohë, pasi është një krizë ekonomike dhe t’ua ndalim qytetarëve në këtë kohë krize ushqimin qytetarëve do të ishte diçka jo humane prandaj ne kemi vendosur që t’i shtojmë edhe 200 të tjera në mënyrë që t’u qëndrojmë pranë sa më shumë familjeve në nevojë”, tha Sahiti.
Sahiti paralajmëron se shumë shpejt qytetarët do t’i marrin shujtat e ambalazhuara.
“Kjo do ta lehtësonte krizën ekonomike që po mbizotëron në mbarë botën. Ky është plani ynë dhe do ta bëjmë edhe ambalazhimin e këtyre shujtave, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tani. Qytetarët po e marrin ushqimin në një formë jo të duhur, në një formë jodinjitoze. Ata veç se e kanë gjendjen rënduar dhe të mos e marrin ushqimin në formë të rënduar. Pra do të bëhet paketimi siç duhet, ku edhe do të ruhet cilësia dhe nuk do të jetë mundësia për ndonjë telash shëndetësor”, tha Sahiti.
Shpërndarja e ushqimit për personat në nevojë ka filluar gjatë mandatit të parë të ish-kryetarit Shpend Ahmeti.